13:16 / E Shtunë, 22 Shtator 2018 / indeksADMonline

Vlerësimi i performancës së Mësimdhënësve i vonuar, pritet të filloj këtë muaj

Në disa komuna ka filluar mobilizimi nëpër Inspektoratet e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale për procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi, duke dhënë detaje për këtë proces.

“Gjatë këtij muaji, MAShT-i përmes Inspektoratit të Arsimit do të fillojë me procesin e Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve. Do të jenë të angazhuar inspektorët e arsimit të cilët janë të trajnuar për këtë proces. Nga viti i ardhshëm do të rritet numri i inspektorëve të arsimit të kyçur në këtë proces si dhe do të angazhohen ekspertë dhe vlerësues të jashtëm”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, MAShT-i nuk ka paraparë që t’i vlerëson mësimdhënësit përmes ndonjë metode të veçantë të testimit, përveç përmes procesit të Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve.

“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është vlerësim i kombinuar, i përbërë nga vlerësimi i brendshëm që kryhet nga mësimdhënësi dhe nga drejtori i shkollës, vlerësimi i jashtëm nga Inspektorët e arsimit dhe vëzhgimi i orës mësimore, planifikimi dhe përgatitja me shkrim. Ndërkaç, niveli i zotërimit të standardeve të ndryshme analizohet përmes formularëve të veçantë të cilët janë të dizajnuara për secilin komponent të procesit të vlerësimit”, ka sqaruar Gashi.

Ndërkaq, Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim e Kosovës, theksoi se Vlerësimi i Performancës së Mësimdhënësve tashmë është proces shumë i vonuar.

“Ky proces ekziston si kategori ligjore prej vitit 2011 dhe tanimë është shumë i vonuar. Duhet të jetë një proces i besueshëm, ku nuk ka vend për asnjë lloj arbitrarizmi ose formalizmi. Për më tepër vlerësimi i tillë duhet të zhvillohet në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, ka thënë Pupovci për Indeksonline.

Nga rezultati i vlerësimit të performancës mësimdhënësi pritet të avancohet në karrierë, do t’i përtërihet licenca ose do t’i jepet një vit shtesë për zhvillim profesional.

Prandaj, sipas njohësit të arsimit në vend, Dukagjin Pupovci në fillimet e tij, procesi i vlerësimit të performancës duhet të mbikëqyret me shumë kujdes.

“Në fillimet e tij, procesi i vlerësimit të performancës duhet të mbikëqyret me shumë kujdes, ndërsa për vlerësuesit duhet të ofrohet këshillim i vazhdueshëm profesional. Përndryshe, mësimdhënësit nuk do të kenë motivim që të avancohen, ndërsa vlerësimi i performancës nuk do t’i sjellë asnjë dobi sistemit të arsimit”, përfundoi Pupovci.

Këtij procesi do t’i nënshtrohen mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike të arsimit para universitar./Indeksonline/