18:03 / E Enjte, 18 Shkurt 2021 / Blerim

Vlora Dumoshi ngushëllon familjet Rugova e Fetahaj, me rastin e vdekjes së zyrtares së Ministrisë së Kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vlora Dumoshi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjeve Rugova dhe Fetahaj, me rastin e vdekjes së zyrtares së kësaj ministri, Vlera Fetahaj-Rugova.

Telegrami i plotë:

Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta, në moshë të re të familjares tuaj, Vlera Fetahaj, zyrtares tonë, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Vlera ishte bija e juaj, grua e nënë, ndërsa për ne ishte një zyrtare e cila e ka dhënë kontributin e saj të pashoq në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore.

Vlera ka qenë një model i një nëne e gruaje të suksesshme dhe si zyrtare e ministrisë duke kryer çdo detyrë me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe ne në ministri ndjehemi krenarë që kemi pasur rastin ta njohim e të punojmë me të.

Me energjinë pozitive që ka përçuar tek të tjerët, Vlera, ka qenë frymëzuese dhe nxitëse edhe për kolegët e koleget e saj në ministri, për të përmbushur objektivat dhe prioritetet e institucionit.

Me ikjen e saj të hershme nga kjo botë, Vlera, ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm jo vetëm për familjen, për vajzën e saj por edhe për ne si institucion.

Në emër timin dhe të stafit të Ministrisë, pranoni ngushëllimet tona për këtë humbje të madhe.

Sinqerisht,

Vlora Dumoshi

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit