08:05 / E Hënë, 04 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Vrap këmbëzbathur, atleti nga Guinea që sfidon dhimbjen

Sidy Diallo ka udhëtuar në mbarë botë, ndonjëherë duke vrapuar në maratona njëra pas tjetrës, dhe së fundi, e ka mbajtur hovin në Nju Jork, ku predikon, ashtu si dhe në vende të tjera, vrapimin zbathur.

Që prej 2015-tës, Diallo ka marrë pjesë zbathur në 63 maratona, e ka tërhequr të gjithë gamën e reagimeve duke nisur nga simpatitë e deri tek armiqësia e hapur.

`”I çmendur! Ai është i çmendur!” bërtiti një spektator ndërsa maratonisti me origjinë nga Guinea, bënte garën e tij tre javë më parë.

“Kur njerëzit më shohin kështu, nuk e di pse acarohen. Disa bëhen edhe agresivë. Në fytyrat e një pjese tjetër shoh frikë”- tha Diallo.

Ai rrëfen se në ditët e para ka pasur dhimbje, por më vonë u mësua. Fillimisht mjek, karriera e të cilit mori kthesë tjetër e tani është diplomat francez, Diallo e nisi këtë lloj vrapimi në moshën 55 vjeçare, duke e parë si një sfidë të re.

“Ka një çmim për të paguar” në ditët e para të dhimbshme të vrapimit zbathur, pranon ai, por këmbët tuaja duhet të përshtaten. I gjithë trupi juaj duhet të mësohet me të.” Ai thotë se në këtë mënyrë, kërkon ti kthehet asaj çfarë kanë provuar njerëzit e parë, për të cilët vrapimi i zbathur ishte çështje mbijetese, e jo vetëm argëtim.