16:48 / E Enjte, 04 Maj 2023 / L K

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria Themelore nesër në konferencë për media

Prokuroria Themelore në Pejë ka paralajmëruar se nesër do të shpalosë gjetjet nga hetimi për njërën nga vrasjet më tronditëse të ndodhura në kompetencën territoriale të saj.

Temë e konferencës së paraparë, do të jetë vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, ndodhur më 26 nëntor të vitit 2021.

Ndaj të dyshuarve, që vranë shoferin e autobusit – Gani Gjokajn, dhe nxënësit Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj është mbajtur veç një seancë gjyqësore, në të cilën edhe janë dëgjuar dëshmitarët e prokurorisë.

Si kishte ndodhur rasti?

Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit 2021, pak para orës 19:00. Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. U vranë shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Fillimisht u përfol për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.

Dy ditë pas rastit tragjik, Qeveria e Kosovës, bashkë me Policinë kishin njoftuar se do të ofrojnë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion që mundëson arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Deçan.

Të nesërmen, Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë kishte thënë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit.

“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, kishte thënë për REL, prokurorja e rastit, Sahide Gashi.

Tek më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, doli në konferencë për media dhe njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

Një tjetër i dyshuar për këtë rast është arrestuar në shkurt të këtij viti, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë.

Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur disa herë si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para tri vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin e autobusit.

Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.