09:47 / E Diele, 31 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Vuçiq: Arritja e marrëveshjes për Kosovën pa konflikte do të ishte historike

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mendon se është e pamundur që Kosova të fitojë ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përveç nëse nuk arrihet ndonjë lloj marrëveshje historike, me të cilën serbët do të ishin të kënaqur. Mirëpo, ai mendon se “do të ishte historike arritja e një marrëveshjeje me shqiptarët, pa konflikte”.

“Kështu është absolutisht e papranueshme”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për  gazetën serbe “Vecernje Novosti”.

Më tej Vuçiq ka thënë se do të ishte mirë që deri në fund të vitit 2018 “përfundimisht të zgjidhej nyja e Kosovës”, por ka shtuar se nuk është optimist në arritjen e një marrëveshjeje me shqiptarët.

“Edhe më tej mendoj se shanset për një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët janë më të vogla se pesë për qind. Por, edhe për marrëveshje brenda Serbisë, mes nesh. Praktikisht është e pamundshme të zgjidhet kjo çështje pa përfshirjen e fuqive të mëdha”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se e di se do të ishte ‘denoncuar’ në pjesën më të madhe të opinionit serb nga momenti kur do të arrihej një kompromis eventual me shqiptarët, por mendon se pas 20 vitesh do të vlerësohej, përcjell telegrafi.

“Kur shëtis  dhe disa më thonë ‘tradhtar’, të tjerët thërrasin ‘peder’ e disa ‘kafshë radikale’. Mirëpo, të gjithë në njëfarë mënyre shpresojnë dhe presin që Vuçiqi ta zgjidh këtë, që të gjitha ngarkesat e rënda t’i hedhim mbi shpinën time. Dhe duke e ditur se kjo është e mirë, thonë se si kjo është katastrofale për interesin tonë kombëtar. Mirëpo, pavarësisht nga kjo, do të ishte historike arritja e një marrëveshjeje me shqiptarët, pa konflikte”, tha Vuçiq.