Vuçiq mesazh BE-së: 100 herë kam thënë, Asociacioni vetëm sipas Marrëveshjes së Brukselit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se në Bruksel 100 herë ka thënë se AKS do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe se është i habitur me deklaratën e Brukselit se BE përkrah formimin e AKS-së me ligjet e Kosovës.
“Jam i befasuar me atë deklaratë, sepse 100 herë në Bruksel kam thënë se AKS do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, me parimet dhe me planin implementues dhe vetëm në përputhje me të”, ka thënë Vuçiq.
Sipas tij, nëse harmonizimi me Kushtetutën e Kosovës është e vetmja gjë me rëndësi për përfaqësuesit e BE-së, atëherë ata nuk janë neutralë ndaj statutit.
“Le ta thonë të veten ata. Ne i kemi dokumentet, ujditë dhe Marrëveshjen e Brukselit në të cilën nuk shkruan ashtu. Unë e di përmendësh Marrëveshjen e Brukselit. Njerëzit në Serbi kanë teori konspiracioni dhe ndaj imagjinojnë çfarë shkruan. I ftoj të gjithë ta lexojnë çfarë shkruan, i keni në sajtin e Qeverisë, mendoj edhe në sajtin e Presidentit dhe në atë të Zyrës për Kosovën”, ka theksuar Vuçiq.