17:54 / E Martë, 20 Mars 2018 / indeksADMonline

Vuçiq përmes bizneseve në Serbi ndal Ramiz Kelmendin që ta votojë demarkacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka arritur që të ndalojë deputetin Ramiz Kelmendi që të votojë pro demarkacionit me Malin e Zi, që do t’i hapë rrugë liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se presidenti serb Vuçiq ka arritur të kushtëzojë deputetin Ramiz Kelmendi nëpërmjet koorporatave biznesore serbe tek të cilat Ramiz Kelmendi furnizohet me mallra të cilat i importon për kompanitë e tij në Kosovë “Elkos Group”.

Burimet bëjnë të ditur se biznesmenët serbë e kanë njoftuar të hënën Ramiz Kelmendin se nëse ai voton pro demarkacionit, ata do ta ndërpresin bashkëpunimin me të dhe nuk do t’i japin më mallra për tregun kosovar.

I ndodhur përballë këtyre kërcënimeve të Vuçiqit nëpërmjet bizneseve serbe, deputeti kosovar Ramiz Kelmendi ka vendosur që të dalë kundër demarkacionit për të ruajtur bizneset e tij, të cilat shumicën e artikujve i importojnë nga Serbia.