Vujiçiq ngushëllon familjen Demaçi
Kryetari i Shoqatës të Malazezëve në Kosovë, Sllobodan Vujiçiq përmes një kumtese për media ka ngushëlluar familjen Demaçi, për vdekjen e veprimtarit të shquar Adem Demaçi, të cilin ai e quan “Mandela i Kosovës”.
“Baca Adem ka qenë në radhë të parë Njeri i Madh, luftëtar për të drejtën, nderin dhe lirinë e çdo njeriu. Si i tillë do të mbetet përgjithmonë dritë dhe udhërrëfim i të gjithëve që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe për jetë të dinjitetshme të tij, si individë dhe si popull në tërësi. Si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ka nënshkruar me Shoqatën e Malazezëve të Kosovës Memorandumin për Bashkëpunim dhe Veprim të Përbashkët, duke na dhënë, në këtë mënyrë, ndër të parët, përkrahje publike”, thuhet në kumtesë..
Vujiçiq ka kujtuar se në vitin 2011, pas hapjes solemne, Demaçi ka hyrë i pari në Shtëpinë Malazeze në qendër të Prishtinës dhe si simbol i lirisë i ka përkrahur sërish ata.
“Përkrahjen e Bacës Adem e kemi pasur gjithnjë deri në frymën e tij të fundit, s’dua të them deri në vdekje, sepse Njerëzit e Mëdhenj nuk vdesin. “Lum ai që jeton gjithmonë, ai ka pasur edhe pse të lindë”, janë fjalët e Njegoshit të Madh, që i shkojnë shumë për shtat Bacës tonë Adem. Lavdi e përjetshme dhe falënderim, mik i dashur”, përfundon njoftimi.
Demaçi vdiq dje në moshën 82 vjeçare, varrimi i të ndjerit do të bëhet të shtunën në “Varrezat e Dëshmorëve” në Prishtinë