08:36 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / indeksADMonline

Vushtrria dhe Covid-19/ Kryetari Tahiri tregon se a po respektohen masat e reja

Komuna e Vushtrrisë që nga dita e hënë bashkë me komunën e Prishtinës, Ferizajn e Prizrenin, është duke iu nënshtruar masave të reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, kundër përhapjes së Covid-19 në vendin tonë. Vushtrriasit nga ora 21:00 e deri në 05:00 e mëngjesit e kanë të ndaluar qarkullimin e lirë.

Se a ka nisur të zbatohen këto masa dhe se si e kanë pritur qytetarët e Vushtrrisë këtë vendim të ri nga institucionet e shtetit, tregon për IndeksOnline, kryetari i këtij qyteti Xhafer Tahiri.

Ai ka thënë se menjëherë pas marrjes së këtyre masave ka zhvilluar takim me bizneset duke ua sqaruar situatën dhe nevojën për respektimin e këtyre masave, në të mirë të qytetarëve, për çka ka thënë ai ka hasur në mirëkuptimin e tyre.

“Në Vushtrri kanë filluar masat e reja dhe ne i kemi takuar bizneset, gastronominë sidomos, dhe i kemi sqaruar  për domosdoshmërinë e respektimit të masave. Jam i kënaqur për bashkëpunimin që kanë ofruar të gjithë bizneset”, tha Tahiri.

Ai po ashtu vlerësoi lart punën e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit gjatë tërë kësaj kohe sa i mbarë vendi e globi po përballen me pandeminë Covid-19.

Kreu i komunës ka treguar se ka qenë në inspektim të situatës në terren gjatë të hënës për të parë nga afër se sa po zbatohen masat e reja.

“Kam qenë në terren dhe në Vushtrri kemi respektim të masave  që janë marrë nga qeveria me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covidit”, theksoi Tahiri.

Në tërë këtë situatë të krijuar me rastet e shumta të të prekurve me coronavirus, Tahiri ka thënë se në qytetin me të cilin ai udhëheq ka disa ditë që numri i të shëruarve tejkalon numrin e rasteve aktive dhe kjo sipas tij është një shenj pozitive, duke treguar që lakorja e rasteve po shkon duke rënë.

Tahiri në këtë prononcim për IndeksOnline ka treguar se tanimë kanë nisur edhe një kampanjë për shpërndarjen e maskave falas për të gjithë qytetarët e saj.

“Ne kemi filluar edhe një kampanjë duke shpërndarë maska falas po edhe një kampanjë për mbajtje të maskave dhe po shpresojmë të kemi një reagim pozitiv nga qytetarët, sidomos në bartjen e maskave si një mjet themelor për tu mbrojtur nga përhapja e Covid-it”, tha Tahiri.

Ndryshe në qytetin e Vushtrrisë, janë 90 raste aktive duke shtuar këtu edhe shifrat e mbrëmshme e 11 të prekurve të rinj nga Covid-19, ndërsa numri i të shëruarve  siç ka thënë Tahiri kalon shifrën e 280 personave./IndeksOnline/