13:53 / E Mërkurë, 03 Gusht 2022 / k.v

​VV kritikon KPM-në për mos inkasim të borxheve

Mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere që nisi me 40 minuta vonesë, e ka kryesuar fillimisht zëvendëskryetari i këtij Komisioni, Mërgim Lushtaku për shkak të mungesës së prezencës së kryetarit Armend Muja.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku kritikoi kryetarin Muja, pasi tha se deputeti në fjalë nuk është hera e parë që vonohet në mbledhjet e Komisionit.

Ndërsa, në mungesë të guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, për shkak gjendjes së tij shëndetësore me grip, komisioni vendosi që raportin vjetor të BQK-së, si dhe për raportin financiar vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale të shtyjë për shqyrtim për një mbledhje të radhës.

Deputeti Lushtaku tha se do të kishte dëshirë që t’i kërkohet një raport mjekësor guvernatorit Mehmeti.

“Me keqardhje duhet deklaruar që nuk është hera e parë që kryetari po vonohet, por ne si Komision duhet të vazhdojmë me punën tonë… ndërsa, te BQK-ja, (guvernatori) për shkak të gjendjes shëndetësore, ashtu siç na kanë informuar. Kështu që është mirë të shtyhet deri një mbledhje kur kanë mundësi të prezantojnë raportin përfaqësuesit e BQK-së. Edhe vet kam qenë i interesuar shumë për të dëgjuar raportin e BQK-së. Ne ngremë shqetësimin tonë, por nuk kemi mundësi të kërkojmë ndonjë raport mjekësor të guvernatorit dhe të anëtarëve të tjerë. Me dëshirën më të madhe kisha kërkuar edhe një raport mjekësor, por gjithsesi ju besojmë fjalëve të tyre”, theksoi Lushtaku.

Ndërsa deputeti i VV-së, Visar Korenica e quajti papërgjegjësi mospjesëmarrjen e tyre në këtë Komision, edhe të drejtuesve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Ndërkaq, anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, ku mori kritika nga deputetët e pozitës për mos inkasimin e borxheve nga mediat televizive, dhe kështu ky raport nuk mori mbështetjen e Komisionit për votim.

Deputeti nga VV-ja, Visar Korenica ngriti çështjen e borxheve të mëdha nga mediat televizive ndaj KPM-së, mbi 700 mijë euro.

Madje, duke i kritikuar drejtuesit e KPM-së, Korenica tha se është pa përgjegjësi mos inkasimi i këtyre borxheve.

“Nëse marrim shembull këto televizione që kanë përfitime marramendëse. Atyre iu vazhdohen licencat dhe nuk i kryejnë obligimet. Jo vetëm ju, por edhe ne si Komision këtu, do të ishte e pa drejtë ndaj qytetarëve të lejohet që kjo gjendje të vazhdojë. Për mua kjo gjendje është katastrofale. Dhe më tepër ju nuk po tregoni as edhe shifrat minimale se çka keni arritur si rezultat, përveç inicimeve të rasteve në përmbarim për inkasimin e këtyre borxheve”, theksoi Korenica.

Zëvendëskryeshefi KPM-së Faruk Rexhaj, gjatë raportimit tha se duke marrë parasysh gjendjen e rëndë financiare të mediave dhe pandeminë COVID-19 që ka ndikuar në të ardhurat e tyre, çdo veprim i KPM-së do të rezultonte dëmshëm në stabilitetin financiar të mediave në Kosovë.

Ai po ashtu tha se ndërprerja e licencave të gjitha këtyre mediave do të rrezikonte në të drejtën e informimit të qytetarëve në Kosovë.

“Duke pasur parasysh gjendjen pandemike, gjendjen e vështirë financiare të mediave, ka qenë sfidë edhe për KPM-në si rregullator, për faktin se çdo veprim eventual i KPM-së, potencialisht ka mundur të rezultojë dëmshëm në kuptimin e stabilitetit financiar të mediave në Kosovë. Prandaj, KPM ka vlerësuar se duhet gjetur një zgjidhje në mes të inkasimit të borxheve nga mediat, ruajtjes së tregut medial në Kosovë. Qysh e dimë, ekziston një numër i mediave që nuk arrijnë t’i kryejnë obligimet tyre financiar ndaj KPM-së dhe se ndërprerja e licenca të gjitha këtyre mediave do të rrezikonte të drejtën e informimit të qytetarëve në Kosovë. Si institucion kemi ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për inkasimin e këtyre mjeteve, duke i dërguar të gjitha lëndët te përmbaruesi privat”, theksoi ai.