19:45 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Wenger: Manchester City fiton prej naftës!

Trajneri i Arsenal, Arsene Wenger, ka komentuar ecurinë e Manchester City duke thënë se nafta e ka ndihmuar këtë klub të ruajë pathyeshmërinë në këtë sezon.

Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka thyer pikërisht rekordin e Arsenal në Premier League duke fituar 15 ndeshje radhazi. Gjatë një konference për shtyp, Wenger ka krahasuar City me Arsenal e “pathyeshëm”, që e mbylli sezonin 2003-04 pa asnjë humbje, me 26 fitore dhe 12 barazime, si askush tjetër në historinë e futbollit anglez. “Aktualisht ne nuk kemi as naftë dhe as ide. Manchester City ka naftë dhe ide, kjo i bën të jenë më efikas se skuadrat e tjera.”

Manchester City i ka pronarët nga Abu Dhabi, një vend shumë i pasur ekonomikisht pikërisht sepse shfrytëzon naftën. Që pas ardhjes së tyre në klub, në vitin 2008, kjo skuadër ka njohur rritje të vazhdueshme duke fituar dy herë titullin kampion dhe nga një herë Kupën e Ligës dhe Kupën e Anglisë, ndërsa Arsenal ka vuajtur në arritjen e majës. Në këtë sezon, City kryeson me 11 pikë më shumë se Manchester United i vendit të dytë, ndërsa ka 19 pikë më shumë se Arsenal. Skuadra e Pep Guardiola ka arritur 16 fitore dhe 1 barazim në 17 ndeshje të luajtura.

Ndërkohë, gjatë javës janë shtuar zërat se Mesut Ozil do të kalojë te Manchester United gjatë merkatos së janarit, duke qenë se në qershor do të mbyllet kontrata e tij me Arsenal. Gjithsesi, Wenger beson se gjermani do të qëndrojë në “Emirates Stadium”. “Nuk kemi pasur asnjë kontakt me Manchester United dhe nuk e di nga dalin këto lajme, – tha Wenger. – Mendoj se është gjithçka e krijuar nga shtypi. Ozil do të qëndrojë me ne deri në fund të sezonit, ndërsa më pas nuk e dihet dhe gjithçka mbetet e hapur.”