23:59 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

Xavi: Këto janë katër skuadrat favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve

Mesfushori spanjoll ka renditur katër skuadra që sipas tij do të triumfojnë në Evropë këtë vit.

Legjenda e Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Xavi Hernandez, aktualisht është duke luajtur në Super Ligën e Katarit, me skuadrën Al Sadd.

Në një intervistë për Goal, ai ka folur për edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve, ku para fillimit të fazës çerekfinale ka treguar katër skuadrat që janë favorite për ta fituar këtë trofe.

“Mendoj se këtë vit janë katër ekipe që mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve. Real Madridi, Barcelona, Manchester City dhe Bayern Munich”, ka thënë Xavi.

“Katër ekipet tjera janë një hap prapa këtyre që i lartë përmenda. Por mbetet të shihet. Në Ligën e Kampionëve nuk i dihet asnjëherë, pasi mund të ndodhin edhe befasitë”, ka theksuar ai.

Në çerekfinale do të ndeshen, Real Madridi me Juventusin, Barcelona me Romën, Manchester City me rivalin nga Anglia, Liverpool dhe Bayern Munich me Sevillan.