14:21 / E Diele, 12 Dhjetor 2021 / MSH

Xavi: Ua kam bërë të qartë drejtuesve se çfarë dua në merkaton e janarit

Xavi Hernandez mori drejtimin e Barcelonës në një moment shumë delikat të tyre. Me shpresën e madhe se një legjendë e blaugranave do ta sjellë klubin në majat e futbollit europian drejtuesit i besuan stolin e skuadrës Xavit.

Pas largimit të Lionel Messit, rënia e Barçës është e dukshme, e cila pak ditë më parë u eliminua nga Champions League nga Bayern Munich që në fazën e grupeve, duke përfunduar kështu në Europa League pas 17 vitesh.

Që kur tekniku spanjoll mori drejtimin e katalanasve, ishte i vetëdijshëm se klubi kishte edhe probleme financiare që do ndikojnë direkt te merkatoja.

Gjithsesi vetë Xavi ka treguar se drejtuesve ua ka bërë të qartë lojtarët që ai dëshiron në merkaton e janarit, për të bërë të mundur edhe ngritjen e skuadrës në nivelet e merituara, duke parë një nisje shumë të dobët të këtij sezoni që aktualisht renditen në vendin e 7-të në tabelën e klasifikimit.

“Po punojmë për këtë, ky është realiteti. Ekipi gjithmonë duhet të përmirësohet dhe ne jemi vigjilentë ndaj afatit kalimtar. Ne po flasim shumë. Ne patëm një takim produktiv të enjten. Isha i qartë se çfarë dua dhe çfarë kam nevojë”, ka deklaruar tekniku i Barçës në konferencën për shtyp.