23:49 / E Enjte, 20 Tetor 2022 / Gj. Sh

Xhaka pas golit të fitores: Na jep besim dhe na shtyn përpara

Arsenali ka shënuar fitore ndaj PSV-së në ndeshjen e mbetur të raundit të dytë në Ligën e Evropës.

“Topçinjtë” triumfuan minimalisht 1:0 ndaj ekipit holandez, me golin e vetëm që e shënoi Granit Xhaka.

Pas ndeshjes, Xhaka tha se çdo gjë po shkon mirë dhe se po punojnë shumë.

“Fitorja na jep besim dhe na shtyn para. Kur fiton ndeshjet duhet të jesh i lumtur. Çdo gjë po shkon mirë për momentin, por për ne kjo nuk është befasi. Po punojmë shumë. Ne fitojmë dhe humbim si ekip dhe për momentin jemi shumë të rrezikshëm. Ne kemi dashur të avancojmë dhe jemi shumë të lumtur”, deklaroi Xhaka pas ndeshjes.

Tutje, ai tregoi se e kanë analuzuar mirë PSV-në, megjithatë thotë se e merituan fitoren

“Në pjesën e parë kemi bërë shumë presion. Të gjithë që vijnë këtu luajnë ngjashëm me PSV-në. E kemi ditur se skuadra holandeze ka kualitet për të na mposhtur në kundërsulme. Por jemi paraqitur jashtëzakonisht mirë. Kemi krijuar rast pas rasti dhe nuk kemi pasur fat të shënojmë më herët. Por kemi pasur pasionin për ta mbajtur topin, të krijojmë shanse dhe mendoj se e kemi merituar fitoren”, u shpreh ai.