21:40 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Ylber Kastrati: Jemi me fat që në krye të klubit qëndron presidenti Florim Zuka

Futbolli është ndaluar prej ditësh, ndërkohë futbollistët po vazhdojnë me stërvitje individuale për ta ruajtur formën e tyre. Njëri nga ta është edhe kapiteni i SC Gjilanit, Ylber Kastrati, i cili në një prononcim për gazetën “Sheshi”, foli për përgatitjet të cilat po i kryen në mënyrë vetanake, si dhe gjendjen aktuale te ‘kuqebardhët’.

“Po mundohemi në të gjitha mënyrat të modifikojmë situata e të mbajmë ritmin fizik, por mbi të gjitha po rrespektojmë këshillat e Institutit Shëndetësor, për të mirën tonë dhe për të mirën e shoqërisë”, deklaroi fillimisht Kastrati.

Më pas lideri i ekipit gjilanas u ndal për të folur edhe për aspektin financiar, një gjë e cila nuk duket shumë shqetësim për skuadrën e tij.

Madje, për Kastratin dhe shumë futbollistë të tjerë është një fat i madh që për president kanë një person si Florim Zuka.

“Gjendja financiare në Klubin Futbollistik “Gjilani” ka qenë gjithmonë stabile që kur në krye të klubit ka ardhur presidenti Florim Zuka. Shumë futbollistë kanë ardhur gjatë kësaj periudhe dhe në të kaluarën dhe askush deri më tani nuk e ka gjykuar klubin dhe as që do ta gjykojë në këtë drejtim. Krejt kjo falë korrektësisë dhe sinqeritetit që ka mbajtur gjithmonë presidenti në raport me kontratat dhe marrëveshjet që i kemi. Jemi me fat që në krye të klubit kemi një njëri si Florim Zuka, i cili është më se korrekt me ne”, përfundoi Kastrati.