19:37 / E Enjte, 10 Shkurt 2022 / LB

Ylli fitoi me lehtësi ndaj Dritës, vazhdon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore të lehtë ndaj Dritës me rezultat 116-57 (21:14, 31:9, 35:19, 29:15), për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Final 8 Kupës së Kosovës ‘Agim Lluka’.

Kampionët e Kosovës ishin më të mirë nga fillimi deri në fund, për të shënuar fitore të merituar dhe pa problem.

Therandasit e nisën më mirë ndeshjen, me një epërsi deri në nëntë pikë, 19:10, ndërsa e fituan çerekun e parë 21:14.

Liderët e elitës së basketbollit të Kosovës dominuan totalisht, duke e rritur epërsinë edhe më shumë, duke shkuar në pushim me shifrat 52-23.

Ngjashëm vazhduan edhe në pjesën e dytë, përkatësisht në periodën e tretë, madje epërsia shkoi në 45 pikë, 87:42, sa ishte rezultati pas 30 minutash.

Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë vetëm për formalitet, ku Ylli triumfoi me rezultat 116-57.

Therandasit në gjysmëfinale e pret fituesin e ndeshjes Prizreni 16-Bashkimi, që zhvillohet sonte (e enjte) nga ora 20:00.