Ylli i ri i karatesë kosovare, Tringa Mustafa, rrëmben titullin e parë në turneun historik!
Në kuadër të Turneut Memorial “Adem Jashari”, i cili u mbajt më 16 Nëntor 2025, në Pallatin e sporteve “Bill Clinton” – Ferizaj, talentja e re e karatesë Tringa Mustafa shkëlqeu duke rrëmbyer vendin e parë në disiplinën Kata, kategoria 10 vjeç.
Ky turne tradicional, që mbledh sportistë nga mbarë trojet shqiptare në nderim të Heroit Kombëtar Adem Jashari, ofroi një garë të fortë dhe me nivel të lartë. Tringa, me teknikën, sigurinë dhe përkushtimin e saj, u dallua në mesin e dhjetëra garueseve të kësaj moshe, duke dëshmuar talentin e jashtëzakonshëm dhe punën e palodhshme që e karakterizon.
Fitorja e Tringës është një arritje e rëndësishme jo vetëm për të dhe klubin e saj, por edhe një shembull frymëzues për të gjithë fëmijët që ndjekin rrugën e sportit dhe disiplinës.
Shkëlqimi i saj në tatami është dëshmi e brezit të ri të kampionëve që po rritet në Kosovë.


