21:46 / E Premte, 03 Prill 2020 / indeksADMonline

Zbulohen klubet me borxhe ndaj futbollistëve: “Prishtina dy rroga minus”

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve, Visar Zogiani, ka bërë të ditur se Prishtina, Ferizaj dhe klubet në fund të tabelës të Superligës së Kosovës u kanë mbetur borxh për disa paga futbollistëve të tyre.

Kriza e shkaktuar në botë nga përhapja e koronavirusit ka bërë që edhe klubet e futbollit të përballen me dëme të mëdha ekonomike, shkaku i pezullimit të aktiviteteve sportive dhe dëmeve financiare me të cilat po përballet kryetarët e klubeve në bizneset e tyre private.

“Kemi klube që janë deri në katër rroga minus. Klubet me më së shumti borxhe ndaj futbollistëve janë klubet në fundin e tabelës, të cilat kanë edhe probleme më të mëdha edhe me renditjen tabelare”, ka thënë Zogiani në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“E kemi edhe Ferizajn që i ka katër paga minus dhe Dukagjini që i ka tre paga minus. Ka edhe klube të tjera, të cilat na kanë treguar se për arsye të ndryshme nuk kanë mundur që të gjitha pagesat t’i bëjnë sepse kryetarët ndodhen jashtë shtetit dhe nuk kanë pasur mundësi ta përfundojnë çështjen e pagesave”.

Sipas tij, edhe kandidatja për titull të kampionit, klubi më i madh në vend, FC Prishtina, i ka dy rroga borxh.

“Shumica e klubeve më të mëdha qëndrojnë mirë, Prishtina është ndër klubet që ka vonesë të pagave, por shpresojmë që si klub me traditë do t’i paguajnë futbollistët. Me muajin mars, tash ata janë dy muaj përafërsisht prapa me paga”.

Zogiani më tutje ka kërkuar që futbollistëve fillimisht t’iu paguhen këto para e pastaj të mendohet se çfarë do të ndodhë me pagat e muajve sa zgjat kriza e shkaktuar nga koronavirusi.