23:02 / E Premte, 28 Shtator 2018 / indeksADMonline

Zejnullahu: Rinia në Llap ka nevojë për krijimin e vendeve të punës

Në seancën e rregullt në Kuvendin Komunal është miratuar buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2019.

Lidhur me propozimin e vendimit për miratimin e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, këshilltarët i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili tha se për vitin 2019 buxheti i Komunës do të jetë 22.032.619 euro.

Miratimin e këtij buxheti nuk e kanë përkrahur partitë opozitare në Podujevë. Kështu LVV e kundërshtoi, ndërsa PDK abstenoi.

Këshilltarja Floretë Zejnullahu, në emër të Grupit të këshilltarëve të PDK-së, ka adresuar vërejtje duke thënë se ky buxhet nuk është i orientuar siç duhet.

“Buxhetit të Komunës së Podujevës nuk i është dhënë orientimi i duhur nga autoritet komunale. Ky buxhet është i orientuar me tepër në fusha, në të cilat ka pasur investime deri tash, apo investimet në to nuk janë jetike. Janë lënë anash fusha me interes shumë të lartë për popullatën dhe për komunën tonë. Sërish kemi planifikim të investimeve në asfaltim të rrugëve. Por, a është kjo më e rëndësishme sesa investimet e duhura në arsim, në shëndetësi, në bujqësi apo në sektorin e zhvillimit të ekonomisë private. E pra, këta sektorë janë lënë jashtë vijave buxhetore apo me një buxhet të varfër, vetëm sa për të mbijetuar”, ka thënë ajo, njofton Llapi.info

Më tej, ajo duke mos e përkrahur këtë buxhet ka shtuar se rinia në Podujevë ka nevojë për krijimin e vendeve të punës, duke investuar më shumë.

“Ne kemi një rini e cila ka nevojë për më shumë ndarje buxhetore. Llapi ka një rini, në të cilën duhet investuar, në mënyrë që ta përfaqësojnë jo vetëm komunën tonë por edhe Republikën e Kosovës. Ne duhet t’i hapim rrugë rinisë, të bëhen projekte që krijojnë vende pune për rini, të zhvillojmë ekonominë e kështu të rrisim buxhetin”, ka thënë tutje Zejnullahu.

Sipas saj, buxheti për investime kapitale është i lartë krahasuar me buxhetin për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës e bujqësisë.

“70 % e buxhetit shkon në infrastrukturë, vetëm me 5 % në arsim, shëndetësia me 8 për qind, bujqësia me 2 % kultura, sporti e rinia po ashtu vetëm me 2 %. Shuma prej e 5 % e buxhetit që i dedikohet arsimit, nuk ka prioritet ngritjen e cilësisë së këtij sektori, që edhe ashtu është në gjendje jo të mirë. Vetëm 35 mijë euro janë ndarë për pajisje për kabinete shkollore, ndërsa pjesa tjetër për ndërtimin e një shkolle dhe infrastrukturë shkollore. Kjo ndarje tregon se sa e përkushtuar është Qeveria e Podujevës në zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë se arsimit. Vlen të përmendet se gjatë tri viteve të ardhshme nuk ka asnjë planifikim të ndërtimit të asnjë çerdheje. Shqetësim tjetër është shëndetësia. Për këtë sektor, si edhe për arsimin, kemi një planifikim jo të duhur dhe ndarje të pakta buxhetore në krahasim me nevojat dhe numrin e popullsisë e cila jeton në komunën tonë. Nuk ka orientime të duhura të parasë publike, e cila sadopak do t’i jepte kah zhvillimit të shëndetësisë”, ka shtuar tutje Zejnullahu.

Kujtojmë, ky buxhet me shumicë votash u miratua në Kuvend, derisa vota për e këshilltarit të AAK-së, Patriot Rudari, është dukur si e çuditshme nga këshilltarët pasi që edhe ai ka dhënë vërejtje për këtë buxhet si dhe për planifikimet për vitet 2020-21.