Zekirja Ramadani zbulon objektivat e Gjilanit për sezonin e ri

Derisa skuadra e Gjilanit është e përkushtuar maksimalisht për të marr rezultat pozitiv ndaj Liepajës në Ligën e Konferencës, trajneri i kësaj skuadre, Zekirja Ramadani, ka folur edhe për objektivat e klubit në sezonin e ri të Superligës së Kosovës.
Në konferencës për media para ndeshjes të së enjtes, i pyetur nga KosovaPress mbi objektivat e klubit të tij, Ramadani ka thënë se nuk dëshiron të bëjë presion mbi lojtarët duke folur për titullin kampion, por ka thënë se ky trofe i mungon kësaj skuadre kryesisht edhe për shkak të fatit jo të mirë sepse skuadra ka bërë investime të mëdha në këtë drejtim.
“Gjilani në këto vitet e fundit është një ndër skuadrat që ka bërë shumë investime dhe ndoshta për mungesë koncentimi, mungesë fati nuk ka arritur deri te titulli kampion. Ne do t’i marrim ndeshje një nga një, objektivi ynë do të jetë që në çdo ndeshje të futemi për fitore dhe në fund e vendosim një vijë dhe do i shohim rezultatet ku jemi. Unë mendoj se nëse fillojmë që tani të flasim për titullin kampion krijohet një presion tek secili futbollist, tek secili person që është nën emblemën e Gjilanit dhe këtë presion dua ta mbaj për vete, nuk dua ta ndajë me stafin tim ose me futbollistët. Të gjithë trajnerët janë ata persona që duhet ta mbajnë presionin. Futboll pa presion nuk ka, por nëse dimë ta menaxhojmë presionin ashtu siç duhet dhe për të menaxhuar është këtu trajneri te Gjilani dhe te çdo skuadër tjetër”, tha Ramadani.
Më tutje, Ramadani ka shtuar se futbollistët e tij do të bëjnë përpjekje maksimale në mënyrë që skuadra në fund të edicionit garues 2022/23 të përfundojë në vendin e parë të renditjes tabelare.
“Futbollistët do të japin më tepër nga vetja dhe futbollistit i takon të mendojë vetëm për kundërshtarin e radhës. Siç thash, duhet të mendojmë për kundërshtarin e radhës dhe në fund do ta shohim se ku do gjindemi në tabelë. Shpresoj që të gjindemi atje ku nuk kemi qenë deri më sot, në vendin e parë”, ka përfunduat kryetrajneri i Gjilanit.