08:34 / E Diele, 11 Qershor 2023 / shkelqim osmanaj

Zelensky: Veprimet kundërsulmuese të Ukrainës kanë filluar

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky duket se ka konfirmuar se kundërsulmi i shumëpritur e vendit të tij kundër Rusisë ka filluar.

“Po zhvillohen veprime kundërsulmuese dhe mbrojtëse”, tha ai.

Por ai shtoi se nuk do të fliste në detaje se në cilën fazë apo gjendje ishte kundërofensiva.

Komentet vijnë pas një përshkallëzimi të luftimeve në jug dhe lindje të Ukrainës dhe spekulimeve për përparimin e shtytjes së shumëpritur.

Trupat ukrainase raportohet se kanë avancuar në lindje pranë Bakhmut dhe në jug pranë Zaporizhzhia, dhe kanë kryer sulme me rreze të gjatë ndaj caqeve ruse, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Por vlerësimi i realitetit në vijën e parë është i vështirë, me dy palët ndërluftuese që paraqesin narrativa të kundërta: Ukraina pretendon përparim dhe Rusia se po lufton sulmet.

Ndërkohë në rajonin Kaluga të Rusisë – që kufizohet me rrethet jugore rreth Moskës – guvernatori Vladislav Shapsha tha në Telegram se një dron u rrëzua pranë fshatit Strelkovk herët të dielën. BBC nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur raportin.

Presidenti rus Vladimir Putin tha në një video-intervistë të publikuar të premten se forcat ukrainase me siguri kishin filluar ofensivën e tyre, por se përpjekjet për përparime kishin dështuar me viktima të rënda.