09:37 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / OSH

Zemaj nis ditën me dy nënshkrime, ja për çfarë bëhet fjalë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot ditën e punës e ka nisur duke nënshkruar e miratuar dy udhërrëfyes të rinj klinikë, shkruan IndeksOnline.

Ai tha se bëhet fjalë për Udhërrëfyesin për diagnostikimin dhe menaxhimin e tuberkulozit ekstrapulmonar dhe Udhërrëfyesin klinik për menaxhimin e infeksionit latent të tuberkulozit.

Sipas tij, deri tani janë miratuar 11 udhërrëfyes klinikë që kur ka marrë mandatin.

Postimi:

Kam nënshkruar sot miratimin edhe të dy udhërrëfyesve të rinj klinikë: Udhërrëfyesin për diagnostikimin dhe menaxhimin e tuberkulozit ekstrapulmonar dhe Udhërrëfyesin klinik për menaxhimin e infeksionit latent të tuberkulozit.

Këta udhërrëfyes do t’u shërbejnë profesionistëve të tre niveleve të kujdesit shëndetësor që të bëjnë menaxhimin më të mirë të infeksioneve me tuberkulozin, sipas mjekësisë së bazuar në dëshmi.

Me këta dy udhërrëfyes klinikë të miratuar sot, numri i tyre ka arritur në 19. Prej fillimit të hartimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, MSH-ja ka hartuar dhe miratuar gjithsej 8 udhërrëfyes klinikë, ndërsa vetëm gjatë mandatit tim janë hartuar dhe miratuar 11 udhërrëfyes klinikë.

Falënderoj grupet punuese për hartimin e udhërrëfyesve klinikë, Komisionin për vlerësim dhe Këshillin kosovar për udhërrëfyes dhe protokolle klinike për punën e tyre në nxjerrjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme për menaxhimin klinik të sëmundjeve të ndryshme.

Gjithashtu, sot kemi formuar edhe Grupin punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19, me përbërje të ekspertëve të fushave përkatëse.

Ky është një hap para për fuqizimin e menaxhimit dhe trajtimit gjithëpërfshirës të infeksionit Covid-19.

Presim që Grupi punues brenda afateve të përcaktuara ligjore ta finalizojë protokollin në fjalë.