10:19 / E Enjte, 30 Korrik 2020 / indeksADMonline

Zemaj njofton zhbllokimin për shkollimin specialistik, hap konkursin për specializantët

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar zhbllokimin për shkollimin specialistik, proces i cili është i bllokuar që 4 vite.

I pari i shëndetësisë ka njoftuar edhe hapjen e konkursit për specializantët.

Konkursi është i ndarë në dy kategori, ndërsa janë hapur edhe komitetet e reja specialistike.

“Kam kënaqësinë e veçantë që të jap lajmin për hapjen e konkursit për shkollimin specialistik, një proces ky i bllokuar për 4 vite.
Krahas luftës së përditshme dhe shumë sfiduese me pandeminë, kemi punuar paralelisht edhe në procese të tjera, me interes të madh për shëndetësinë kosovare. Një prej tyre është ky proces, ku falë punës së shkëlqyer të Bordit Qendror për Shkollim Specialistik, e si prioritet i Ministrisë dhe Qeverisë, ne arritëm këtë proces të bllokuar tash e 4 vite, ta zhbllokojmë për vetëm 3 javë.
Është një proces ndër më të rëndësishmit për profesionistët shëndetësor.
Për 4 vite, 4 gjeneratave u është mohuar specializimi, duke shkaktuar kështu deficit të kuadrove profesionale në shumë lëmi specialistike, tejet të nevojshme për sistemin tonë shëndetësor.

Prandaj, duke qenë të vetëdijshëm që numri i profesionistëve shëndetësor që presin të profilizohen në lëmi të veçanta specialistike është mjaftë i madh, ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore dhe buxhetore, për të krijuar numër maksimal të vendeve për shkollim specialistik.
Prandaj sot, shpallim të hapur konkursin për 1034 vende për shkollim specialistik, një numër rekord që nuk ka ndodhur deri më sot në vendin tonë!
Në këtë konkurs ne kemi ndarë dy kategori të specializimeve.
Në kategorinë e parë janë përfshirë profilet specialistike me interes nacional, specializime që janë të nevojshme në luftën kundër COVID-19, me ç ‘rast, këta mjek dhe specializantë të ardhshëm, menjëherë do të kyçen në institucionet shëndetësore, duke ndihmuar kështu kolegët e tyre, të cilët sigurisht se janë të dërrmuar nga oraret e gjata dhe rrezikshmëria e lartë në të cilën ushtrojnë çdo ditë profesionin e tyre!
Në kategorinë e dytë janë lëmitë tjera specialistike, të cilat jo drejtpërdrejtë janë të ndërlidhura me luftën kundër pandemisë, por që vazhdojnë të jenë të nevojshme dhe shumë të rëndësishme për shërbimet shëndetësore në Kosovë.
Rëndësi të veçantë i kemi kushtuar edhe kërkesave të Spitaleve Rajonale, me ç ‘rast kemi ndarë mbi 100 specializime në lëmitë deficitare. Natyrisht, për shkak të bllokimit disavjeçarë të këtij procesi, kërkesa është shumë e madhe, por Ne nuk do të ndalemi këtu, sepse sipas programit tonë, specializimet do të hapen çdo vit, prandaj gjatë mandatit tim politik, nuk do të mbetet asnjë kandidat pa mundësi të shkollimit specialistik. E në të njëjtën kohë çdo institucion shëndetësorë do të plotësohet me specialistë të profileve të nevojshme.
Përveç hapjes së konkursit, kemi emëruar edhe komitetet e reja specialistike, nga të cilët kemi kërkuar që të hartojnë planprograme specialistike, konform standardëve më të mira ndërkombëtare.
Ju garantoj, se do të punojmë vazhdimisht dhe do të japim mbështetje maksimale për një shkollim specialistik të mirëfilltë.
Unë, dëshiroj t’i uroj suksese të gjithë kandidatëve për shkollim specialistik, të cilët kanë pritur gjatë për këtë proces dhe gjithashtu lus të gjitha institucionet dhe organizatat, që të monitorojnë çdo hap të procesit të këtij konkursi dhe të procesit të shkollimit specialistik, në përgjithësi” ka thënë Zemaj në konferencë./Indeksonline/