Zënka mes fëmijëve përfundon me një të vdekur në Gjakovë, policia jep detaje
Një person është therur për vdekje në orët e mbrëmjes në Gjakovë, pas një përleshje mes disa personave.
IndeksOnline mëson se viktima është i moshës rreth 19 vjeçare.
Rastin e ka konfirmuar për IndeksOnline zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj, një person ka ndërruar jetë dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar.
“Rreth orës 21:30 kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në rrugën “Ali Ibra” në Gjakovë. Si pasojë e këtij incidenti, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë, njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, dyshohet nga një mjet i mprehtë, ndër të lënduarit është edhe personi i dyshuar”, ka thënë Krasniqi.
Sipas saj, dyshohet se motivi i kësaj ngjarje tragjike kishte nisur pas një zënke mes fëmijëve.
“Njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivi dyshohet të jetë një zënkë mes fëmijëve”, ka thënë Krasniqi. /IndeksOnline/

