21:51 / E Mërkurë, 17 Tetor 2018 / indeksADMonline

Zgjedhjet në BIK, kush do të jenë kandidatët për myfti

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), në fund të këtij muaji do të bëhet me udhëheqësinë e saj të re, pasi kryetarit aktual, myftiut Naim Tërnava do t’i përfundoj mandati i tretë.

Në BIK thonë se Këshillat kanë nisur punën e tyre për të zgjedhur kandidatët për anëtarë dhe kryetarë, shkruan Indeksonline.

Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi ka thënë në një prononcim për Indeksonline se procedurat e nevojshme do të përfundojnë në fund të tetorit.

“Zgjedhjet aktualisht janë duke u mbajtur ku këshillat vendor zgjedhin një anëtar për Kuvendin e BIK dhe bëjnë propozimin për kandidatin eventual për kryetar. Këto duhet të përmbyllen deri në fund të këtij muaji”, ka theksuar Rexhepi.

I pyetur se a do të kandidoj përsëri myftiu Tërnava për një mandat të katërt në krye të BIK, Rexhepi ka thënë se kjo varet nga Këshillat e BI-së.

“Zgjedhja e kryetarit nuk varet nga kandidimi i kandidatit por nga propozimi që e bëjnë këshillat e BI-së. Me qellim te mosinterferimit në procesin zgjedhor, më tepër nuk mundem të ju them asgjë”, ka thënë tutje Rexhepi.

Vlen të ceket se Tërnava pak para se të merrte mandatin e tretë kishte bërë një ndryshim në Kushtetutën e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila nuk ia ndalon të rikandidoj për të parin e këtij institucioni.

Para se të bëhej ky ndryshim, sipas Kushtetutës, një person mund të shërbente si myfti më së shumti dy mandate nga pesë vite. Myftiu i Kosovës, që udhëheq rreth 800 xhami në Kosovë, ka mandat 5 vjeçar. Deri më tani nuk është bërë zyrtare asnjë kandidaturë për të parin e Bashkësisë Islame. /Indeksonline/