Zgjedhjet në PDK-në e Drenasit, dalin emrat e kandidatëve për kryetar
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas tashmë zyrtarisht ka hapur zgjedhjet e brendshme.
Garës për të parin e PDK-së në këtë komunë i janë futur Naim Bazaj dhe Labinot Halilaj, përderisa kryetari i tanishëm i komunës, Ramiz Lladrovci nuk ka shprehur interesim për këtë post.
Në një prononcim për Indeksonline, Halilaj ka konfirmuar kandidaturën e tij, por duke mos dashur që të komentoj më tutje rreth garës.
“Do te jem pjesë e procesit zgjedhor, po vlerësoj qe akoma është herë të prononcohem rreth garës për të parin e Degës”, ka thënë Halilaj.
Ndërsa, kundër-kandidati tjetër Naim Bazaj tashmë veçse ka filluar fushatën e tij elektorale. Në rrjetin e tij social ai ka publikuar fotografi nga takime të shumta me banorët e fshatrave të kësaj komune.
Ndërsa, Lladrovci gjatë një prononcim për Indeksonline ka thënë se është i përkushtuar në punën e tij si kryetar i Komunës, përderisa ka bërë të ditur se do të përkrahë cilindo kandidatë që do fitojë në këto zgjedhje.
“Unë e përshëndes vendimin për mbajtjen e procesit zgjedhor brenda PDK-së në nivel vendi dhe në degën e Drenasit, e cila, ishte, është dhe do të mbetet shembull i unitetit dhe bastion i fitoreve. Në asnjë rast, nuk kam shprehur interesim, as anim për cilindo nga kandidatët e mundshëm për kreun e Degës së Drenasit. Secilin kandidat e respektoj dhe do ta pranoj rezultatin e procesit pa asnjë diskutim, sepse i besoj transparencës dhe demokracisë së brendshme që zhvillohet në PDK. Në të gjitha nivelet e partisë, kam manifestuar dhe ofroj përkrahje të plotë për secilën kandidaturë, me urimin që të përzgjidhet kandidati më i mirë që unifikon dhe shton elektoratin e Degës së PDK-së në Drenas”, ka thënë Lladrovci./Indeksonline/