15:04 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Zgjidhja e demarkacionit, hap i domosdoshëm për liberalizim të vizave

Luksemburgu është mbështetës i madh për Kosovën në agjendën e saj të integrimeve euroatlantike. Kjo iu rikonfirmua ministres së integrimeve Dhurata Hoxha gjatë një vizitë zyrtare në Luksemburg ku u prit nga ministri i jashtëm i këtij shteti. Zgjidhja e demarkacionit, u tha se është një hap i domosdoshëm për liberalizim të vizave.

“Kemi diskutuar për raportet bilaterale mes Kosovës dhe Luksemburgut dhe ndihmën që ofron ky shtet për Kosovën. Kemi diskutuar gjithashtu për procesin e integrimeve evropiane dhe ndihmën që ofron Luksemburgu në mbështetje të Kosovës në kuadër të integrimeve evropiane. Na duhet veçanërisht ndihma e Luksemburgut në procesin e liberalizimit të vizave. Në momentin që ne të kemi rezultatet konkrete dhe të përmbushim kriteret, vendimmarrja e BE së duhet të jetë e përgjegjshme dhe kosovarët të mos jenë më populli i vetëm i izoluar”,tha ajo.

Jean Asselborn, ministër i punëve te jashtme dhe çështjeve evropiane i Luksemburgut tha se është e rëndësishmja që njerëzit e zakonshëm e shohin se Bashkimi Evropian është i hapur, dhe ne mund të vijmë tek kjo çështje përmes liberalizimit te vizave.

“Çështja me kufirin duhet të përmbushet dhe Luksemburgu është i hapur për të gjitha vendet e regjionit për të bërë hapat e duhur në drejtimin e duhur”, tha ai.

Më tutje, ministrja Hoxha u prit edhe nga ministri për zhvillim e bashkëpunim i Luksemburgut me të cilin nënshkroi një marrëveshje prej 30 milionë euro të cilat i ndan ky shtet për Kosovën.

“Nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme per zhvillim ekonomik e po ashtu edhe integrime evropiane. Kjo marrëveshje është pjesë e marrëveshjes 2017-2020 në një vlerë prej 30 milionë eurosh. Projektet e kësaj marrëveshje janë mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për ministrinë e integrimeve dhe forcimin e shërbimeve publike , kapacitetet e administratës publike dhe u asiston institucioneve të Kosovës në implementimin e MSA së”, tha ajo

Ndërkaq, Romain Schneider, ministër për zhvillim, bashkëpunim e çështje humanitare i Liksemburgut tha se kjo vizitë është e mirë për mundësinë për të ngritur bashkëpunimin për të implementuar programin tonë të bashkëpunimit. Ka projekte ne sfera të ndryshme dhe do të investojmë në programe të ndryshme. Diskutuam edhe për projekte të reja. Luksemburgu po vazhdon të mbështesë sektorin e shëndetësisë, edukimit dhe trajnimeve dhe shoqërinë civile sepse mendojmë se Kosova ka nevojë të ketë investime në këto sfera.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Luksemburgut u mbajt një tryezë diskutimi rreth mjeteve të ndara për Kosovën dhe projekteve konkrete të cilat do të implementohen.

Temat: