21:48 / E Premte, 08 Qershor 2018 / indeksADMonline

Zharku flet për herë të parë në një media pas kthimit në Kosovë, befason me deklaratë

Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, ka thënë se asnjëherë nuk i ka ikur drejtësisë.

Zharku ka folur të premtën në Radio Televisionin e Kosovës, pas kthimit nga Suedia.

“Atëherë kur jam akuzuar, në vitin 2008, kam qenë në Suedi. Po sa kam dëgjuar për fletë-arrestin, unë jam kthyer, ku edhe kam shkuar në Prizren e jam lajmëruar në stacionin policor, dhe jam mbajtur në Prishtinë në paraburgim. Unë nuk i kam ikur drejtësisë, jam munduar ta dëshmoj pafajësinë time, dhe jam dënuar për një vepër që nuk e kam bërë”, ka thënë ai.

Zharku ka thënë se është bërë ai shkak dhe EULEX ka nisur hetimet brenda vetes.

“Në Suedi kam takuar zyrtarë të lartë të EULEX-it, në prani të Qeverisë suedeze, ku më kanë kërkuar pse e akuzoj EULEX-in, çka kanë gjetur më shumë se sa që kam thënë unë. Nga aty ka filluar hetmi brenda EULEX-it”, ka thënë ai.

Zharku ka treguar pse e ka ndërruar edhe dukjen me të ardhur në Kosovë, ngase në fotografi më herët, gjatë qëndrimit në Suedi, është parë me mjekërr.

“Njerëzit në Kosovë më mbajnë mend pa mjekërr dhe kam vendosur të jem ashtu siç më mbajnë mend”, ka thënë ai.