18:34 / E Martë, 11 Janar 2022 / AR

Zhvilluesit kanë fituar 60 miliardë dollarë nga App Store në 2021

Pavarësisht përballjes me padi të shumta, shtrëngim të masave nga rregullatorët në tregje të ndryshme, Apple raportoi ditën e djeshme një statistikë rekord për App Store në 2021.

Kompania tha se që prej 2008-ës kur u lançua, dyqani i aplikacioneve App Store ka paguar më shumë se 260 miliardë dollarë zhvilluesve të aplikacioneve.

Në fund të 2020-ës kjo shifër ishte 200 miliardë dollarë, që do të thotë se vetëm vitin e kaluar 60 miliardë dollarë kanë shkuar për zhvilluesit.

Po ta krahasojmë me fundin e 2019-ës që Apple kishte paguar zhvilluesit nga 2008 deri në atë moment 155 miliardë dollarë, tregon se gjatë 2020-ës ata kishin fituar 45 miliardë dollarë.

Në 2020-ën Apple lançoi programin Small Business ku kompania reduktoi komisionin nga 30% në 15% për aplikacionet që fitonin më pak se 1 milionë dollarë në vit. Kompania reduktoi komisionet edhe për disa aplikacione të mediave më popullore.

Së fundi Apple tha se përdoruesit kanë shpenzuar 1.8 miliardë dollarë në sende dixhitale dhe shërbime nga Dita e Krishtlindjeve deri në mbrëmjen e Vitit të Ri. /PCWorld Albanian