12:47 / E Mërkurë, 26 Korrik 2023 / shkelqim osmanaj

Zjarret vdekjeprurëse, mbi 40 viktima në Mesdhe, Greqia dhe Italia në alarm

Mbi 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve vdekjeprurëse që kanë përfshire Mesdheun, duke kërcënuar fshatra e resorte turistike, e duke detyruar evakuimin e mijëra personave. Bilanci më i rëndë deri më tani është shënuar në Alegjeri, ku numërohen të paktën 34 viktima, përfshirë edhe 10 ushtarë të rrethuar nga flakët gjatë një operacioni evakuimi në rajonin bregdetar të Bejaia, në lindje të Algjerit. Kjo është edhe zona më e prekur, ku janë regjistruar 23 vdekje, sipas mediave lokale.

Greqia po përgatitet për fluturime të tjera evakuimi nga ishulli i Rodosit, ndërsa flakët vijojnë të përhapen edhe në Korfuz dhe Evia. Vala e tejzgjatur e të nxehtit dhe era nuk po i lë mundësi frymëmarrjeje vendit, me temperatura që pritet t’i kalojnë 44 gradët në disa pjesë të Greqisë.

Mininistria e Mbrojtjes paralajmëroi për rrezik ekstrem në 5 prej 13 rajoneve të vendit. 2 pilotë humbën jetën në ishullin e Evias, ne veri të Athinës, pasi avioni i tyre zjarrfikës ra në një luginë. Sakaq, trupi i një burri u gjet në një zonë të thellë të ishullit. Me mijëra vetë janë detyruar të braktisin hotelet e shtëpitë edhe në Evia dhe Korfuz, e po ashtu Kreta është në gjendje alarmi.

Italia sakaq, është goditur nga dukuri ekstreme të motit, me stuhi te fuqishme në veri dhe zjarre në Sicili dhe rajone të tjera jugore. 3 persona humbën jetën pranë Palermos, përfshirë një çift në të 70-at, që u gjet i vdekur në shtëpinë e përpirë nga flakët.

Një viktimë e katërt u gjet në Kalabri. Një zjarr në rajonin e Foggias, në Adriatik, detyroi evakuimin e rreth 2 mijë personave nga 3 hotele. Sakaq, stuhi me forcë në cikloneve, morën 2 jetë njerëzish në Lombardi. Erërat e fuqishme deri në 117 km në orë shkulën pemët dhe çatitë në Milano, duke shkaktuar dëme prej miliona eurosh. Qytetarët flasin për skena apokaliptike. Duke i cilësuar këto si ditët më të ndërlikuara në dekada, autoritetet po mendojnë shpalljen e gjendjes së emergjencës në 5 rajone.