Zubimendi niset drejt Londrës për të nënshkruar me klubin e ri

Martín Zubimendi është në prag të bëhet zyrtarisht lojtar i ri i Arsenalit. Mesfushori i Real Sociedad ka udhëtuar drejt Londrës gjatë ditëve të fundit për të finalizuar detajet e përfshirjes së tij te skuadra e “topçinjve”, duke hedhur kështu hapin vendimtar drejt aventurës së tij të parë jashtë Spanjës. Megjithëse njoftimi zyrtar nuk do të vijë deri në korrik, me kërkesë të klubit nga Donostia, marrëveshja mes dy klubeve është në rrugë të mbarë.
Sipas raportimeve të The Athletic, Arsenali nuk do të paguajë klauzolën e lirimit prej 60 milionë eurosh, por një shumë pak më të lartë (rreth 65 milionë euro), për të shmangur procedurat ligjore me La Ligën. Ky transferim do të jetë shitja e dytë më e shtrenjtë në historinë e Real Sociedad, duke u tejkaluar vetëm nga kalimi i Alexander Isak te Neëcastle.
Futbollisti, i cili ka qenë duke shijuar pushimet pas paraqitjes në Ligën e Kombeve me përfaqësuesen e Spanjës, po i shfrytëzon në maksimum ditët e fundit të lirë në qytetin e tij të lindjes, San Sebastián, si dhe në angazhime personale, siç ishte edhe pjesëmarrja në dasmën e ish-shokut të skuadrës, Ander Guevara. Ai do t’i bashkohet fazës përgatitore me fanellën e Arsenalit, ku do të ribashkohet me Odegaard dhe do të ndajë mesfushën me një tjetër spanjoll, Mikel Merino.
Humbja më e madhe nga ky transferim është për Real Madridin. Klubi “i bardhë” kishte shpresuar ta bindte Zubimendi që të ishte pasardhës i Toni Kroos, por me kalimin e tij të afërt në Premier League, drejtuesit sportivë të Madridit tashmë e konsiderojnë mesfushorin bask të humbur.