19:17 / E Martë, 20 Mars 2018 / indeksADMonline

Zv.kryeministri i quan “Pako Picash” peticionet e 205 mijë qytetarëve

Enver Hoxhaj i ka quajtur pako picash, peticionin e qytetarëve që kanë nënshkruar kundër marrëveshjes së demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

Selimi është pyetur më herët nga Insajderi se farë iu tha Hoxhaj, në momentin kur deputetët e Vetëvendosjes dërguan peticionin e qytetarëve, por që Selimi është përgjigjur se do të tregojë gjatë fjalimin në seancë.

E kur ai e mori fjalën, tha se përmes foltores po i përgjigjet gazetarit për pyetjen e tij.

“Ia kam borxh një gazetarit që t’i përgjigjem në një pyetje të tij. Ai më pyeti se farë të tha Enver Hoxhaj, kur ia dërguat peticionin e qytetarëve. Ai më tha që po duken si pako picash. Ai duhet të dijë që turpi hahet me bukë e jo me pako picash”, ka thënë Selimi.

Selimi ka shtuar se nëse sonte ratifikohet kjo marrëveshje, atëherë asnjëherë më nuk do të përmisohet.

“Nëse kalon demarkacioni, atëherë harrojeni që do e përmisoni këtë marrëveshje”, ka thënë Selimi.