17:17 / E Shtunë, 04 Dhjetor 2021 / OSH

Zv/kryeministrja Redzepi pjesëmarrëse në Samitin e Ballkanit Perëndimor, apelon tek institucionet e BE-së për liberalizim sa më të shpejtë të vizave

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës znj. Emilija Redzepi mori në pjesë Samitin e Ballkanit Perëndimor 2021, i cili u mbajt në Sofje organizuar nga New Direction Foundation në bashkëpunim me Institutin Hungarez për Politikë të Jashtme dhe Tregti dhe Warsaw Institute.

Samiti, i cili po mbahet për herë të katërt me radhë në Sofje, mblodhi politikanë, grupe të shoqërisë civile dhe anëtarë të instituteve të ndryshme në të cilin u diskutuan tema me rëndësi për Europë, në vecanti për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e vet hyrëse, Zëvendëskryeministrja Redzepi fillimisht dha një pasqyrë të angazhimit të qeverisë së Republikës së Kosovës në ballafaqim me pandeminë si dhe masat e ndërmarra drejt rimëkëmbjes ekonomike të vendit përmes Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në drejtim të tejkalimit të sfidave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia. Tutje, ajo nënvizoi se Republika e Kosovës ka një qeveri demokratike dhe stabilitet insitucional si dhe janë intensifikuar përpjekjet në forcimin e rendit dhe ligjit në vend. Po ashtu, ajo nënvizoi se në Republikën e Kosovës të gjitha komunitetet pa përjashtim gëzojnë liri të plotë të veprimit, të drejta, perspektivë e shanse të barabarta.

Në adresimin e vet, Zëvendëskryeministrja Redzepi kërkoi nga institucionet e BE-së, Parlamenti Europian, Këshilli Europian dhe qeveritë e vendeve anëtare që çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës të trajtohet me urgjencë meqë kosovarët janë qytetarët e vetëm në Europë të cilët kanë nevojë për viza për udhëtim në Zonën Shengen, dhe sipas saj, kjo padrejtësi ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të përfundojë sa më parë. Ajo shtoi se kanë kaluar tri vite që nga rekomandimi i fundit i Komisionit Europian në favor të liberalizimit të vizave dhe se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara si dhe ka shënuar progres evident në fushën e sundimit të ligjit.

Në adresimet e tyre, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i KE, z.Oliver Varhelyi dhe i dërguar special i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, z.Miroslav Lajçak, po ashtu nënvizuan se është koha e fundit që qytetarët e Republikës së Kosovës të lëvizin pa viza dhe se kjo çështje duhet të jetë prioritet në agjendën e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare të BE-së në një të ardhme shumë të afërt. Në anën tjetër, Eurodeputeti bullgar nga radhët e Reformatorëve Liberalo Konzervativ (ECR-BG) z.Angel Dzhambaski, njëherësh nënkryetar i New Direction Foundation, ishte shumë kritik ndaj vendeve anëtare të BE-së për vonesën e madhe në liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duke thënë se qasja e tillë dëshmon se në kuadër të BE-së dhe vendeve anëtare ka hipokrizi dhe se një pjesë e vendeve anëtare të BE-së janë duke përdorur standarde dyfishta në raport me procesin e integrimit europian të vendeve të Balkanit Perëndimor. Në fund, edhe Eurodeputeti gjerman nga radhët e Reformatorëve Liberalo Konzervativ (ECR-DE) z.Lars Patrick Berg u shpreh se çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të përfundojë sa më parë me një vendim meritor i cili veçmë është i vonuar.

Në forumet kryesore të samitit, zëvendëskryeministrja Redzepi u shoqërua nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje, Ambasadori Delfin Pllana.

Mos i humb