15:28 / E Premte, 09 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Zv.ministri Daci: Donacioni për shkolla do të jetë ndihmë për nxënësit tanë

Zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, me bashkëpunëtorë, priti në takim një delegacion shqiptaro-gjerman, i cili përbëhej nga Peter Rieger, drejtor i Entit Shkollor të Dortmundit; Bernd Bruns, drejtor i përgjithshëm i shkollës “Anne-Frank-Gesamtschule” në Dortmund; Melanie Froch dhe Sonja Pfeiffer, të dyja drejtoresha të shkollave në Dortmund; Kemajl Çallaku, mësues i Shkollës Shqipe në këtë qytet, dhe Driton Musliu, kryetar i këshillit të prindërve të shkollës shqipe në Dortmund.

Ky takim kishte në fokus donacionin që ishte dhënë për katër shkolla të Kosovës.

“Ju jemi mirënjohës për donacionin e dhënë për këto shkolla. Ky donacion do të jetë një ndihmë dhe do të ndikojë në përmirësimin e kushteve për nxënësit tanë. Shpresoj që shembulli juaj të merret model edhe nga mësuesit e tjerë të shkollës shqipe në diasporë”, tha zv.ministri Daci.

Ai tha se me shkollën e Dortmundit, bashkëpunimi vazhdon tash pesë vjet. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, me mësuesit organizohet edhe ekskursioni i nxënësve në atdhe.

Përfaqësuesi i delegacionit shqiptaro-gjerman, pasi falënderoi MDIS-in për mikpritjen, tha se mësuesit shqiptarë bënë të mundur krijimin e lidhjeve mes shkollave të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë, me këtë rast bënë të mundur edhe sjelljen e këtij donacioni.

Ata thanë se shpresojnë që në të ardhmen do të ketë edhe shkëmbime profesionale mes Kosovës e Gjermanisë.

Gjatë kësaj vizite, u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes shkollës “Anne Frank-Gesamtchule” dhe shkollës “Iliria” në Prishtinë.