11:55 / E Enjte, 10 Shtator 2020 / indeksADMonline

Zvicër: Merret vendimi për kosovarin, që theri me thikë një person në një lokal nate

Një kosovar është dënuar nga Gjykata Penale e Luzernit me gjashtë vjet burgim, pasi në një zënkë në shtator të vitit 2017 në një lokal, kishte therë me thikë një person të sigurimit të lokalit, shkruan “Luzerner Zeitung”.

Në orët e mëngjesit një person i sigurimit kishte kërkuar nga një grup prej pesë personash që të largoheshin nga lokali.

Një kosovar 33-vjeçar e kishte lutur atë që t’i linte kohë edhe pesë minuta dhe ia zgjati dorën. Kur sigurimi ia refuzoi dorën, filloi një fjalosje midis tyre, siç është thënë nga Prokuroria e Luzernit.

Pas një fjalosjeje në shqip eskaloi situata. Personi i sigurimit përdori sprejin, pasi kishte menduar se kosovari po planifikon të nxirrte diçka nga xhepi i djathtë.

Kosovari ishte larguar nga lokali, ndërsa sigurimi i kishte ofruar një gotë ujë. Pas një fjalosjeje tjetër 33-vjeçari nxori thikën dhe e goditi në stomak personin e sigurimit.

Në seancën e mbajtur më 26 gusht pala mbrojtëse tha se 33-vjeçari kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe kishte kërkuar që të aplikohej një dënim prej nëntë muajsh.

“Nuk ishte e nevojshme që sigurimi e përcolli klientin tim jashtë lokalit. Ai ishte frikësuar nga një sulm tjetër. E përdori thikën pasi u ndi i rrezikuar. Ishte një sulm në vetëmbrojtje”, ka thënë avokati mbrojtës i kosovarit.

Gjykata Penale e Luzernit i shqiptoi një dënim prej gjashtë vjetësh kosovarit për vrasje në tentativë. Po ashtu ai do të dëbohet edhe për dhjetë vjet nga Zvicra. Vendimi ende nuk është i plotfuqishëm dhe palët kanë të drejtë të ankohen.