11:05 / E Martë, 23 Janar 2018 / indeksADMonline

Zyra serbe për Kosovën mban sekret shpenzimet

E ashtuquajtura Zyra serbe për Kosovën mban sekret shpenzimet që do të ketë në vitin 2018 për udhëtimet zyrtare dhe promovimin përmes rrjeteve sociale, shkruan gazeta serbe Danas.

Në faqen e internetit të Zyrës për Kosovë, në planin e prokurimit publik për vitin 2018, është përcaktuar si informacion sekret se si fondet do të shpenzohen për – biznes udhëtime në Serbi dhe jashtë vendit, blerjen e karburantit, një strategji komunikimi në rrjetet shoqërore, telefonisë mobile dhe shërbime për monitorimin dhe regjistrimin aktiviteteve të Zyrës.

Sipas gazetës, vendimi për të mbajtur sekret pagesën e disa shërbimeve është marrë pasi u zbulua se zyra një kompanie private i kishte paguar rreth një milion dinarë për azhurnimin e profilit në rrjetet sociale të kësaj trupe qeveritare dhe drejtorit të saj Marko Gjuriq. Zyra nuk i është përgjigjur “Danas”, pasi që fondet nga buxheti serb, të përcaktuara për shërbimet e caktuara të Zyrës për Kosovën klasifikohen si sekrete.