12:29 / E Martë, 13 Gusht 2019 / indeksADMonline

Zyrtare: Bayern transferon Perisiqin nga Interi

Mungonte vetëm zyrtarizimi por edhe ai ka ardhur. Ivan Perisic është futbollisti më i ri i Bayern Munich.

Pas 4 sezonesh sulmuesi kroat është larguar nga Italia duke lënë Interin për t’u rikthyer në Bundesliga këtë herë për të mbajtur veshur fanellën e Bayern Munich pas eksperiencave me Borussian e Dortmundit dhe Wolfsburg-ut.

Në arkat e Interit kanë shkuar 5 milionë euro për huazimin 1-vjeçar të futbollistit ndërsa Bayerni në fund të sezonit nëse bindet nga Perisic mund të aplikojë të drejtën e blerjes për 20 milionë euro.

“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer në Gjermani, Bayerni është një nga klubet më të mëdha në botë. Do të provojmë të fitojmë jo vetëm Bundesligan dhe Kupën e Gjermanisë por edhe Champions Leaguen”, deklaroi Ivan Perisic.

Shumë i lumtur për transferimin e Perisic te Bayerni u shfaqën shefi ekzekutiv Karl Heinz-Rummenigge dhe drejtori sportiv Hasan Salihmidzic, i cili theksoi se kroati do t’i ndihmojë shumë bavarezët me eksperiencën e tij në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë para ndeshjes ndaj Cottbusit në Kupën e Gjermanisë të fituar me rezultatin 1-3 nga Bayerni në lidhje me transferimin e Perisic në Allianz Arena u shpreh edhe trajneri Niko Kovac i cili nuk e cilësoi si një plan B, 30-vjeçarin për të cilin thuri lëvdata, madje sipas Kovac Bayerni do ta tentonte afrimin e Perisic edhe në rast se do të merrte Leroy Sane nga Manchester City.