22:11 / E Premte, 15 Korrik 2022 / Gj. Sh

Zyrtare, Prishtina transferon yllin e Malishevës

Futbollisti këmbëshpejtë Hasan Hyseni është lojtari i radhës që ka nënshkruar me FC Prishtinën.

Mesfushori-sulmues në edicionin e fundit ishte pjesë e Malishevës, me të cilën ka luajtur me shumë sukses duke i realizuar shtatë gola në 32 paraqitje.

25-vjeçari është produkt i Trepçës ’89, derisa në karrierën e tij ka luajtur edhe me Drenicën dhe skuadrën prizrenase A&N.

“Cani” ka nënshkruar kontratë tre-vjeçare me ekipin kryeqytetas.

Mitrovicasi e ka dhënë një prononcim për faqen zyrtare të klubit ku shprehet i lumtur që është bërë pjesë e Prishtinës.

“Projekti që e ka bërë klubi dhe trajneri Ismet Munishi më kanë shtyrë që të bëhem pjesë e Prishtinës. Sigurisht se është ndjenjë shumë e mirë me qenë pjesë e klubit më të madh kosovar. Synimet personale janë që të paraqitem sa më mirë me ekipin e Prishtinës në mënyrë që t’i arrijmë objektivat e klubit. Tifozëve të Prishtinës mund t’u them se do ta jap maksimumin në arritjen e objektivave dhe ta sjellim titullin në kryeqytet. “Plisat” meritojnë trofe. Do ta bëjmë krenar të gjithë kryeqytetin.”, ka thënë ai.