16:48 / E Shtunë, 07 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Zyrtari i lartë i VV-së: Janë dy mundësi, ose qeveri LV-LDK ose zgjedhje

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, nuk ka lënë hapësirë tjetër përveç arritjes së marrëveshjes me LDK-në, apo shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Zaimi i ka radhitur 10 pikat, sipas të cilave i ka pasqyruar skenarët e mundshëm, për arritjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike apo shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, shkruan Indeksonline.

Postimi i plotë i Arbër Zaimit:

LV ka fituar zgjedhjet. Edhe pas rinumërimeve dhe lojërave me pragje, LV u certifikua nga KQZ si fituesja e zgjedhjeve, subjekti i parë e ai më i madh.

LV ka vendim strategjik të mos marrë në koalicion subjekte nga ish qeveria PAN.

Kjo lë vetëm dy mundësi, ose qeveri LV-LDK, ose zgjedhje. Nëse nuk bëhet marrëveshje për qeverinë Kurti, atëherë nuk do të votohet as kryetari i Kuvendit, gjë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon ekskluzivisht LV. Pra pa marrëveshje, do të shkohet në zgjedhje.

Dmth. nuk ekziston mundësia që LDK të shkojë në opozitë, mundësitë e vetme janë: ose LV-LDK, ose zgjedhje.

LV e LDK janë shprehur dhe kanë bërë zotim publik gjatë fushatës zgjedhore se posti i presidentit nuk do të përfshihet në negociata për qeveri.

LV e LDK janë shprehur dhe janë zotuar publikisht se posti i kryeministrit i takon subjektit fitues dhe nuk është pjesë e negociatave për qeveri. Ky zotim erdhi meqenëse LDK refuzoi të pranonte ofertat e LV per koalicion parazgjedhor.

Kryetarët e LV e LDK janë marrë vesh për të patur nga 5 ministri secili subjekt, dhe kryetari i LV ka ofruar me bujari që zgjedhjen e parë ta bëjë LDK.

Veç kësaj, LDK-së i është ofruar nga LV edhe zv.kryeministri i parë. Edhe ky është një koncesion.

Kryetari i LV nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe për kërkesat e ardhura nga LDK. Por, secila kërkesë duhet të shoqërohet nga një ofertë. Asnjëri prej partnerëve nuk mund të marrë pa dhënë diçka.

Çdo vonesë është e panevojshme dhe në dëm të qytetarëve, që mezi e presin ndryshimin, sidomos në kushtet kur prapaskenat dhe skenarët alternativë tashmë nuk janë më të mundshme.