23:07 / E Mërkurë, 24 Janar 2024 / Gj. Sh

Zyrtarizimi i dinarit serb është kërkesë për element shtetësie për Asociacionin!

Shkruan: Zeqir Bekolli

Vendimi për mospërdorimin e dinarit serb në Kosovë është në harmoni me Kushtetutën e vendit dhe përpjekje për konsolidim të shtetit edhe në pjesën veriore të vendit. Me këtë vendim i bëhet me dije komunitetit serb dhe vet Serbisë se në Kosovë e vetmja valutë zyrtare është euro të cilën tashmë e përdorin shtetet e Bashkimit Evropian.

Reagimet e Serbisë për zyrtarizimin e valutës së saj në Republikën e Kosovës është ndërhyrje direkte në sovranitetin dhe funksionimin e shtetit tonë, por edhe synimin dinak i Vuqiçit për të instaluar një element të shtetësisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që shpie në  një Republikë Serbe në Kosovë.

Prandaj, kjo kërkesë e re antikushtetuese nuk bën në asnjë mënyrë të jetë në tryezën e bisedimeve, sepse nëse diçka e tillë lejohet, atëherë Serbia do të kërkojë edhe të tjera elemente dhe me sistemin e mengelës, siç është duke vepruar,  do të shkojë deri atje, për t’ia krijuar Asociacionit elementet e shtetit për çka po përdorë të gjitha mënyrat deri te ato diplomatike.

Për krijimin e elementeve të shtetësisë, për Asociacionin,  Serbia provoi edhe me mënyrën e dhunshme të 24 shtatorit, kurse tash me gëzofin e skilës provon të mashtrojë komunitetin ndërkombëtar duke e parashtruar si kërkesë  të serbëve lokalë dhe si diçka të rëndësishme për ata.

Kosova me Kushtetutën e saj është shtet multietnik, që nënkupton, shtet i qytetarëve të barabartë, dhe çdo përpjekje antikushtetuese siç është kjo për zyrtarizimin e dinarit serb  është veprim për krijimin e mini shtetit në shtetin e Kosovës.