14:16 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

A debuton Ronaldo të shtunën ndaj Chievos? Allegri zbulon formacionin

Kampionati italian i futbollit do të ngrejë siparin nesër në orën 18:00 me sfidën Chievo-Juventus, ku debutimi i Cristiano Ronaldos me bardhezinjtë, do të bëjë që miliona njerëz të gozhdohen para ekranit për ta ndjekur takimin.

Massimiliano Allegri ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur për debutimin e Ronaldos, largimin e Marchisios, merkaton, objektivat dhe gjithçka tjetër që lidhet me skuadrën që ai drejton.

Lamtumira e Marchisios:
Unë personalisht duhet ta falënderoj Claudion, sepse në katër vite me mua, ka treguar se është një futbollist i madh, një njeri dhe një profesionist i jashtëzakonshëm, një shembull për të gjithë lojtarët që i janë bashkuar Juventusit. AI ka qenë për 25 vite te Juventusi dhe kemi vendosur që të ndahemi këtu, ndërsa shoqëria vendosi t’i zgjidhë kontratën, për t’i dhënë mundësinë e një tjetër eksperience.

Tragjedia e Gjenovës dhe shtyrja e dy takimeve:
Mendoj se është marrë një vendim i drejtë për Genoan dhe Sampdorian. Nuk ka fjalë për të thënë, në lidhej me këtë tragjedi. Do të luajmë në këtë periudhë zije kombëtare, por duke respektuar personat që janë prekur drejtpërdrejtë nga kjo tragjedi.

Detaje mbi formacionin
Nesër do të luajnë me siguri Ronaldo, Chiellini, Pjanic, Cancelo dhe Alex Sandro. Për pjesën tjetër të formacionit, do të më duhet të bëj akoma llogaritë, mbi të gjitha në mesin e fushës. Shumë do të varet edhe nga mënyra se si do të shkojë ndeshja, por prirem t’u besoj atyre që kanë qenë në SHBA, pasi kanë më shumë minuta në këmbë. /IndeksOnline/

 

Temat: