11:03 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Detaje të reja rreth arrestimit të shqiptarit në Serbi

Përkundër asaj se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, është kushti i BE-së për Serbinë, kjo e fundit po vazhdon të arrestojë qytetarë nga Kosova që udhëtojnë për në Serbi.

Të dielën që shkoi është arrestuar në Serbi 54 vjeçari Fahri Jusufi nga Mitrovica, derisa ishte duke udhëtuar.Sipas te dhënave, nuk dihet motivi i arrestimit, porse udhëtimi i Jusufit bashkë me një person tjetër ka qenë për çështje biznesore.

Sipas burimeve të KosovaPress, i arrestuari Fahri Jusufi ka dalë nga Kosova së bashku me  Nexhmedin Jusufin, shoferin e kamionit me të cilin kanë qenë duke udhëtuar. KosovaPress ka kontaktuar me vëllanë e të arrestuarit,  Irfan Jusufin,  i cili njofti se nuk e di arsyet e arrestimit të të vëllait. Jusufi bëri të ditur se Fahriu ka pasur një rast të plagosjes në vitin 1988 dhe se për këtë vepër  ka mbajtur një vit paraburgim.

Ai tha se për këtë është dashur të mbajë edhe një vit burg më vonë, të cilin nuk e kishte mbajtur asnjëherë. Jusufi konfirmoi se vëllai i tij që  nga paslufta nuk kishte udhëtuar asnjëherë në Serbi. Ai tha se kanë angazhuar avokat në Serbi, dhe sipas avokatit lënda është vjetërsuar. Kjo nuk është hera e parë që Serbia vepron kështu. Vepra të tilla bëjnë që qytetarët nga Kosova të mos ndjehen të sigurt kur marrin rrugën për Serbi. Në shumë raste janë arrestuar shtetas të Kosovës të cilët kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.