17:36 / E Shtunë, 20 Janar 2018 / indeksADMonline

Gripi sezonal ua shton punën barnatoreve

Gripi sezonal ka prekur rreth 14 mijë kosovarë të cilët më të madhe po ia mësynë qendrave mjekësore për trajtim.

Por, jo vetëm në qendrat e mjekësisë, gripi sezonal ka shtuar dukshëm edhe punën e barnatoreve të cilat në këtë kohë kanë shumë kërkesa nga qytetarët për barna të cilat kryesisht ndërlidhen me grip, shkruan Indeksonline.

“Këto ditë është rritur shumë numri i pacientëve. Kërkesa e barnave nuk mund te thuhet që është vetëm për grip, kërkohen mjaftë shumë edhe antibiotikë për shkak të natyrës së gripit ,por edhe terapi për kanalet e frymëmarrjes që supozohet që mund të jetë edhe për shkak të ndotjes së ajrit në Kosovë” thuhet në përgjigjen e një barnatore në kryeqytet për Indeksonline.

Poashtu, farmacisti Pajtim Thaçi nga Komuna e Drenasit thotë se vizitat e qytetarëve në barnatoren ku punon ai janë shpeshtuar këto ditë. Moshat më të prekura në bazë të barnave të kërkuara del të jenë fëmijët dhe pleqtë.

“Barnat që janë përdorur me se shumti janë antibiotik strup e poashtu injeksione analgjezike për dhimbje. Sigurisht, vizitat këto ditë kanë qenë dyfish më shumë se zakonisht. Kryesisht moshat e prekura nga ky grip sezonal janë fëmijët dhe pleqtë, por edhe moshat mesatare” ka thënë ai.

Edhe farmacistja/pronarja e barnatores “Besarta Bujupi Krasniqi” që gjendet në Komoran për Indeksonline ka pohuar se barnat e kërkuara kryesisht kanë të bëjë me grip, sëmundje kronike, diarre etj.

“Po është e vërtetë, gripi sezonal dukshëm ka rritur punën në barnatoren tonë. Kryesisht, numri i atyre që kanë kërkuar barna kanë qenë për gripin sezonal i cili është përhapur mjaftë shumë në Kosovë. Pastaj ka pasur barna edhe që kanë lidhje me sëmundjet kronike, për diarre etj” ka thënë Besarta Bujupi Krasniqi.

Kujtojmë që nga fillimi i sezonës (tetor 2017), deri tani janë raportuar rreth 14000 raste të gripit sezonal. Të gjitha moshat janë të prekura, por numër pak më i madh është raportuar në moshën 15-64 vjeçare./Indeksonline/