17:04 / E Martë, 18 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Pensionistëve do t’iu sigurohet një pension dinjitoz

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim pune kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi.

Me këtë rast, Haradinaj ka falënderuar pensionistët për kontributin e tyre dhënë ndër vite, derisa e siguroi kryetarin Kajtazi se Qeveria do të angazhohet në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve jetësore të pensionistëve kosovarë.

“Në takim me kryetarin e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, shqyrtuam modalitetet për ngritjen e mirëqenies së kësaj kategorie dhe i informova se po punojmë në reformën e sistemit pensional, që do të gjejë zbatim në afat optimal”, tha Haradinaj.

Qeveria, siç tha Haradinaj, do t’i përmbushë të gjitha obligimet ligjore me synimin, që pensionistëve, gradualisht t’iu sigurohet një pension dinjitoz.

Ndërkaq, nga ana e tij, kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve falënderoi Haradinan dhe Qeverinë në përgjithësi për angazhimin e tyre në përpjekje të përmirësimit të kushteve të pensionistëve dhe realizimin e të drejtave të tyre, thuhet në komunikatën për media./Indeksonline/