10:22 / E Diele, 11 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Haliti: Gjysma e Kosovës po merr pensione, Ushtria është e kushtueshme

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti thotë se aktualisht Kosova e ka të vështirë të garantojë sigurinë pa NATO-n. Sipas Halitit, ushtria është shumë e kushtueshme, e shteti i Kosovës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për këtë.

Nënkryetari i Kuvendit ndër të tjera flet edhe për punën që po zhvillohet në Kuvend në këtë kohë kur vështirë po mbahen seanca të rregullta.

Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, që mban pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, tregon se ka tjetër mendim sa i përket çështjes së formimit të ushtrisë së Kosovës.

Haliti thotë se ushtria është kushtueshme e Kosova nuk ka buxhet, meqë siç thotë ai, gjysma e Kosovës po marrin pensione.

Haliti thotë se aktualisht Kosova nuk mund të bëjë ushtri konkurruese, veçse ushtri të vogël operative që merret me mbrojtjen e vendit, por sipas tij, është vështirë të garantohet siguria e Kosovës pa NATO-n.

Nënkryetari i Kuvendit flet edhe për punën që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës.

Ai komenton edhe rastet kur në seancat plenare është përdorur gjuhë jo e duhur dhe rastet kur ka pas përleshje verbale.

Pa dashur që të ndalet në secilin rast, Haliti thotë se kanë qenë tre ose katër raste të tilla, që sipas tij ka pas ngutje në reagime, por që kanë mundësi të evitohen.

E javë më parë, derisa po drejtonte seancën, ishte vet Haliti që i dha një përgjigje “të rreptë” kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, kur ai iu afrua për t’i thënë që të përsërisë votimin.

Ti kqyri punët e tua. Ti ki me prezantu ligjin unë kam m’i ndjekë procedurat dhe ti nuk mund të më tregosh a po i ndjeki procedurat a jo, kqyri punët e tua”, i kishte thënë Haliti Haradinajt.

Ndërkohë që për bojkotimin që opozita po i bënë herë pas here punimeve të Kuvendit, Haliti thotë se kjo nuk po i pengon ata që të vazhdojnë me miratimin e ligjeve.

Megjithatë, ai thotë se opozita duhet të jenë në sallë, të paktën në pjesë e parë të seancës.