11:52 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

Kompany: Talenti individual i Brazilit nuk ia prish gjumin Belgjikës

Vincent Kompany këmbëngul se Belgjika nuk po e humbet gjumin për cilësitë e Brazilit, përpara ndeshjes çerekfinale të Kupës së Botës, të premten. Ndërsa Brazili e mposhti Meksikën në mënyrë të rehatshme, skuadra e Roberto Martinez e pati të nevojshme një përmbysje të madhe, që u siglua në minutën e 94-t, falë golit të Nacer Chadli, për të eliminuar Japoninë.

Pas fitores dramatike të Belgjikës të hënën, Martinez pretendoi se “Djajtë e Kuq” nuk kishin frikë të shkonin në përplasje me Brazilin, duke shtuar se do t’i përshtatej filozofisë së tij që të mos konsiderohej favorit.

Dhe Kompany, i cili bëri fillimin e tij të parë të turneut kundër Japonisë, pasi u shërua nga lëndimi, iu bëri jehonë mendimeve të trajnerit: “Individualisht, Brazili është skuadra më e fortë në këtë Kupë Botërore. Ky është një kompliment, por nuk ndikon në shanset tona kundër tyre. Asnjëri prej nesh nuk do të flerë natën duke menduar se kemi humbur tashmë me Brazilin.

Në mbrojtje ato janë të forta, i fitojnë të gjitha duelet e tyre mbrojtëse. Brazilianët gjithmonë e kanë një çelës për të zhbllokuar çdo situatë. Ne do t’i shohim ato në sy, por nëse e bëjmë këtë një ndeshje të individëve, atëherë do të humbasim. Nëse bëhet një ndeshje e shfaqjeve individuale, nuk kemi asnjë shans. Nëse luajmë si ekip, nëse luftojmë për njëri-tjetrin, mund t’ia dalim dhe kjo ka rëndësi për mua”.

Kompany pohoi se, pavarësisht nga disa shfaqje mbrojtëse të paqëndrueshme, siç janë shfaqur kundër Japonisë, lojtarët e Belgjikës kanë besim të plotë në qasjen e trajnerit të tyre spanjoll: “Ne kemi zhvilluar një stil tërheqës futbolli, kemi shënuar shumë gola dhe kemi treguar anën më të mirë. Jemi duke u përmirësuar vazhdimisht, por duhet të shkojmë deri në një nivel tjetër ndaj Brazilit”.

Temat: