22:19 / E Diele, 06 Maj 2018 / indeksADMonline

Lista Serbe do të ftohen për takim dhe raportim nga kryeministri Haradinaj

Ishte pikërisht data 26 mars kur Lista Serbe bëri të ditur lajmin për largim nga Qeveria e Kosovës.

Ditë më vonë veprime te tyre vazhduan edhe në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët të këtij komuniteti kaluan tek ulëset e opozitës, saktësisht në afërsi të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vendimi në fjalë erdhi pas arrestimi të drejtori të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjurqi në veri të vendit, pas hyrjes së tij pa leje në territorin kosovar.

Pas gjithë këtyre ndryshimeve, Qeveria e Kosovës vazhdon të deklarojë se Lista Serbe është ende pjesë e Qeverisë së Kosovës.

“Lista Serbe zyrtarisht është pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë për Indeksonline, Donjeta Gashi nga Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës.

Ndër të tjerash nga po të njëjtët kohë më parë është deklaruar vazhdimisht se kryeministri Ramush Haradinaj do të zhvillojë një takim me përfaqësues të Listës Serbe për t’u dakorduar lidhur me qëndrimin apo largimin e tyre përfundimtar nga qeveria.

Njësoj janë deklaruar sërish, se takimi do të ndodhë por që nuk dihet kur, pavarësisht se tashmë kanë kaluar afro dy muaj që nga deklarimi për largim.

“Ata do të ftohen nga kryeministri për takim dhe raportim, por vendosja e datës do të bëhet në koordinim me agjendën e kryeministrit dhe për të cilën do të njoftoheni me kohë”, ka shtuar tutje Gashi.

Ndërkohë udhëheqësit e vendit nuk ishin shprehur shumë të shqetësuar për largimin e mundshëm të përhershëm të Listës Serbe, madje ndër të tjerash ishte thënë se nuk bëhet “kiameti”,nëse ata largohen.

Por edhe pse vendimi i tyre ishte marrë, një gjë e tillë ende nuk është qartësuar si duhet nga këta të fundit. Janë apo nuk janë pjesë e Qeverisë Haradinaj, përfaqësuesit serb që nën udhëheqje kanë tri ministri./Indeksonline/