15:11 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Merr kahje tjetër kërkimi i dy policëve, ndërpritet uji në Brezovicë

Vazhdon ende misteri i zhdukjes së dy policëve që nga mbrëmja e të shtunës. Edhe në ditën e pestë të kërkimit, ende nuk ka ndonjë gjurmë që do të afronte në zbardhjen e këtij rasti dhe gjetjen e trupave të dy policëve nga Kaçaniku.

Për të lehtësuar kërkimet e tyre, sot hidrocentralet në Brezovicë kanë bllokuar rrjedhën e ujit, shkruan Indeksonline.

Ky veprim është ndërmarrë në koordinim me Policinë e Kosovës. Rrjedhat e ujit raportohet të jenë ulur që tani dhe kërkimi në lumin Lepenc pritet të jetë më i lehtë.

Ndryshe, Indeksonline po qëndron edhe sot në vendin e ngjarjes ku zhytës nga klube të ndryshme, nga FSK-ja, Policia e Kosovës, njësia FIT dhe shumë qytetarë po vazhdojnë kërkimet në mjedise të ndryshme./Indeksonline/