11:56 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

MTI nënshkruan marrëveshjen për reformimin e inspektoriateve në Kosovë

International Finance Corporation (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Projektin “Klima e Investimeve në Kosovë II”, projekt i cili arrin vlerën prej 2.3 milionë euro dhe ka të bëjë me reformimin e inspektimeve të bizneseve dhe duke ofruar shërbime të mira për investitorët.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, është shprehur i lumtur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje e cila sipas tij, do të jap përvojat më të mira ndërkombëtare në fusha të ndryshme.

Teksa bëri të ditur se ky projekt është financuar nga Qeveria Zvicerane e cila ka kontribuar në projektin më të gjerë të klimës së investimeve, i cili do të zbatohet deri në vitin 2020.

 

“Ne sot jemi shumë të lumtur që nënshkruam një marrëveshje për asistencë teknike nga IFC-ja, një marrëveshje që kap vlerën 2.3 milionë dollarë. Për neve ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse është faza e dytë e implementimit të kësaj faze dhe prek disa fusha në të cilat MTI ka prioritete edhe në planin qeverisës, si në fushën e të bërit biznes, që do të na ndihmojë shumë në këtë fushë për shkak se kemi të bëjmë me ministri të linjave dhe ne udhëheqim si MTI. Besoj se vet progresi që ka arritur Kosova në të bërit biznes, besoj se flet nevoja se gjithmonë mund të jemi më mirë”, tha Hasani.

Hasani bëri të ditur se së shpejti do të hartohet një strategji për investime direkte në Kosovë nga investitorët e huaj, duke i ruajtur ata që aktualisht Kosova i ka.

Ai theksoi se përmes këtij projekti do të bëhet edhe reformimi i inspektoriateve, duke ulur numrin për të thjeshtuar procedurat administrative dhe duke ofruar shërbime më të mira për investitorët.

 

“Sot në nivel vendi kemi diku afërsisht 42 inspektoriate ku mendohet të zvogëlohen në 15 sosh. Ne e kemi bërë grupin punues dhe besoj që kjo ndihmë që do të na jepet do të ketë përvojat më të mira ndërkombëtare për të ardhur deri në reformim, sepse numri i reformimit të këtyre inspektoriateve prek shumë fusha të ndryshme dhe do të jetë hap shumë i mirë për vendin tonë sepse do të ketë një koordinim të plotë të inspektoriatit“, shtoi ai.

Thomas Lubeck, drejtor rajonal i IFC për Kaukazin e Jugut, tha se niveli i papunësisë mbetet sfida kryesore për Kosovën, derisa u shpreh optimist se projekti i nënshkruar sot do të sjellë më shumë investitorë në vend.

 

“Ekzistojnë inspektorë të shumtë dhe mbi 150 rregullore të ndryshme dhe kam frikë se Kosova pak a shumë mbetet mbrapa me vendet tjera të rajonit. Qëllimi i këtij projekti është që ky proces të ketë drejtim më efecient dhe puna e rëndësishme e inspektimit që bëhet nga këto Agjenci mund të bëhet shumë më shpejt dhe shpenzimet e bizneseve mund të kushtojnë shumë më pak, jo vetëm në kontekst financiar, por edhe në kohë, në punën e tyre të përditshme, rekrutimi, investimi, punësimi i njerëzve”, tha ai.

Ndërsa Damien Shiels, përfaqësues i Bankës Botërore, tregoi gatishmërinë për të mbështetur reformat në Kosovë. Derisa theksoi se ofrimi i vendeve të reja të punës është hapi kyç që Kosova duhet të bëjë, duke u përqendruar edhe në konkurrencën e lirë dhe inovacion.

 

“Për neve, Kosova ka bërë disa përparime shumë të mëdha sa i përket reformave dhe të të bërit biznes dhe është shumë e rëndësishme ta mbajmë këtë momentum në zbatim. Dhe siç e shihni, zbatimi është në uljen e ngarkesës për biznese në arritjen e sukseseve dhe përfundimisht në krijimin e vendeve të punës, që është pjesa qenësore që Kosova duhet të arrijë. Njëra nga gjërat tjera që dëshirojmë të bëjmë është ndërkombëtarizimi i vendit, që të dëshmojmë se është i hapur ndaj konkurrencës dhe investimeve të reja”, u shpreh ai.

Në fund, ai theksoi se Banka Botërore ka kaluar nëpër një proces të madh për të bërë ritheksimin e strategjisë së vet, që ka të bëjë edhe me mbështetje shtesë për Kosovën.