Hasani: Edhe nëse hiqet taksa, ne mund ta dëmtojmë Serbinë duke ia bojkotuar prodhimet
Nga sot, për të gjitha mallrat që do të hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, transportuesit janë të detyruar të paguajnë taksë 100% për to, vendim i marr nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Përderisa në Kosovë u mirëprit ky vendim, autoritetet serbe, boshnjake si dhe Bashkimi Evropian e kundërshtuan një masë të tillë, duke thënë madje se është shkelur marrëveshja e Tregtisë së Lirë – CEFTA, shkruan Indeksonline.
Madje, pas vendosjes së taksës, këto dy shtete kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në takimin e radhës të CEFTA-s, të cilën e kryeson Kosova.
Për 100%-shin ndaj Serbisë dhe BeH, ka thënë disa fjalë edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani. Ai në një prononcim për Indeksonline ka thënë se është koha që Kosova të tregoj se është shtet në vete.
“Nëse ju kujtohet ditën kur u vendos masa prej 10 për qind kam thënë se kjo masë duhet të rritet të paktën deri në 30 për qind sepse kështu e ndalë importin, e rritja e taksës në 100 për qind për mallrat që importohen nga Serbia është për tu përshëndetur. . Është koha për shtet dhe këtë e dëshmojmë vetëm me veprime të tilla”, ka theksuar Hasani.
Duke komentuar deklaratën e Federica Mogherinit për tërheqjen e vendimit, Hasani ka thënë se edhe nëse bëhet një gjë e tillë, qytetarët e Kosovës mund të ndërmarrin një veprim tjetër për të dëmtuar mallrat serbe.
“Vendime të tilla është e vështirë të zgjasin, duke e pasur parasysh presionin e madh ndërkombëtarë që bëhet në vazhdimësi ndaj Kosovës sa herë kemi ndonjë taksë të tillë. Vazhdimisht presioni bëhet duke pretenduar se po shkelet marrëveshja e CETFA’s”, ka vlerësuar Hasani.
Si ish-kryesues i CEFTA-s sa ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka bërë një kërkesë për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e që do të arsyetonte vendimin për taksa.
“Por kur jemi te CEFTA do të kërkoja qeverisë që të rinënshkruhet kjo marrëveshje sepse ne aty përfaqësohemi si UNMIK. Por pavarësisht se sa kohë do të mund ta mbajë Kosova një taksë si kjo, ne qytetarët jemi ata që mund t’i dëmtojmë mallrat serbe dhe boshnjake duke i bojkotuar totalisht”, ka shtuar ish-ministri Hasani.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve edhe një herë që të konsumojnë vetëm prodhime vendi, sepse sipas tij, kështu e ndihmojmë vendin tonë, hamë ushqime të sigurta dhe e dëmtojmë Serbinë.
“Duke konsumuar prodhime të vendit ne ja ndalim Serbisë parat me të cilat po lobon kundër shtetit tonë. Kjo po ashtu do të duhet t’i bëjë prodhuesit tonë më të përgjegjshëm që të ofrojnë prodhime sa më cilësore. BE mund t’i bëjë presion Qeverisë dhe edhe t’i vendosë kushte, por qytetarin nuk mund ta ndalojë në asnjë mënyrë që të bojkotojë çdo produkt serb”, ka përfunduar Hasani.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme, me propozim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala miratoi vendimin për vendosjen e taksës 100% për të gjitha produktet që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe BeH.
Derisa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic në një konferencë për media ka lutur institucionet e Kosovës të shfuqizojnë vendimin, duke thënë se nuk duan konflikt, por paqe.
Vendimi për taksë ka hyr menjëherë në fuqi në pikat doganore të Kosovës. /Indeksonline/